Ndërlidhjet

NË KOSOVË LIBRI PËRJETON KRIZË TË THELLË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në Kosovë libri përjeton një krizë të thellë, krizë, e cila mund të cilësohet si pasojë e tranzicionit, në të cilin tashmë gjendet Kosova. Kështu u tha në një debat të organizuar nga PEN-qendra e Kosovës, e cila rreth vetes grumbullon një numër të madh intelektualësh. Publicisti Mehmet Kraja, ka fajësuar tranzicionin, se ka ndikuar në rrënimin e sistemit të vlerave, duke mos lënë hapësirë për ndërtimin e një sistemi të ri.
“Ajo që duhet të brengosë neve rreth librit, mendoj unë, është pikërisht pafuqia ose paaftësia jonë, që në politikat kulturore të bëhen ndryshime të tilla dhe shfaqen nisma, të cilat do të duhej të jepnin sinjale për një fund të pritshëm të këtij tranzicioni rrënues. Në këtë pikë, pra në punën e përcaktimit të politikave kulturore më të përparuara, mund të themi se komuniteti kulturor i Kosovës ka dështuar plotësisht.”
Zoti Kraja tha gjithashtu se me këtë ekonomi dhe këtë nivel zhvillimi, nuk mund të pretendohet një gjendje ideale, sikurse nuk mund të arrihet as pajtimi me përjashtimin e kulturës dhe librit nga përkujdesja buxhetore.
Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, duke folur për çështjen e botuesit, tha se mungesa e përkrahjes shoqërore ka bërë që botuesi të mos jetë në gjendje ta zhvillojë veprimtarinë e tij. Njëkohësisht, një gjendje e tillë ka ndikuar në mbulimin e tregut me librin e importuar nga Shqipëria, tha zoti Bashota.
“Por, tregu i Shqipërisë, pothuajse, nuk mbulohet fare, ose mbulohet pak me librin e botuar në Kosovë. Rrjedhimisht, duhet të krijohen mekanizmat institucionale, që do të ndërmerrnin veprime konkrete lidhur me shpërndarjen, qarkullimin dhe përhapjen e librit,” tha zoti Bashota.
Në debatin e sotëm gjithashtu u tha se tani për tani nuk ka të dhëna mbi gjendjen aktuale të librit. Zoti Mehmet Kraja pohon se kjo çështje nuk i intereson pothuajse askujt.
“Se sa larg jemi nga vendet e zhvilluara, do t’ua sjell një fakt; ta zëmë, në Gjermani, botohet dhe shitet një libër për kokë banori, që domëthënë se Gjermania boton dhe qarkullon rreth 80 milion libra në vit. Sipas kësaj matjeje, në Kosovë është dashur të botoheshin dhe të qarkullonin rreth dy milion libra. Ndonëse ne nuk e dimë se sa libra botohen dhe qarkullohen në Kosovë, për një gjë jemi të sigurtë, se kjo shifër është katastrofisht më e vogël.”
Zoti Bashota, ndërkaq tha se sipas standardeve ndërkombetare, 1.5 deri në 2.5 libra duhet të jenë për kokë banori. Por sa i plotëson Kosova këto kritere?
“A kemi ende shifra sa libra janë për kokë banori në Kosovë. Në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në Kosovë mesatarisht janë botuar 550 tituj të rinj. Si është gjendja sot, kur botuesit privatë kanë vullnet dhe kur institucionet që do të duhej të mbështesin politikën kulturore, në një mënyrë nuk i ofrojnë gadishmërinë e tyre?”
Megjithatë, në debatin e sotëm, kishte edhe diskutime që flisnin për egzistimin e një krize vlerash në Kosovë dhe jo për një krizë libri. Një diskutim të tillë e paraqiti edhe Daut Demaku, publicist.
”Kurrë, që kur egziston libri shqip, nuk ka qenë më i pasur dhe më i begatshëm. Kemi mbi 100 botues dhe jam kurreshtar të di, cili është prej atyre librave me vlerë botërore që nuk mund ta gjeni shqip.”
Sidoqoftë, fajtor kryesor për gjendjen, në të cilën gjendet sot libri në Kosovë dhe sistemi i vlerave në përgjithësi, përfundimisht duket të jetë çështja e mungesës së mjeteve financiare, që do të mbështesnin ndërtimin e një sistemi të ri vlerash.
XS
SM
MD
LG