Ndërlidhjet

PDK BRAKTIS SEANCËN E KUVENDIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partia Demokratike e Kosovës, subjekti më i madh politik në radhët e opozitës, ka braktisur punimet e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, për shkak të mospajtimeve në lidhje me draftin e miratuar dje nga qeveria, pa aprovimin paraprak të Kuvendit, për shpalljen e pilot komunave, me të cilat do të testohet zbatimi i decentralizimit. Grupi Parlamentar i PDK-së, kërkoi nga udhëheqësi i seancës së sotme plenare, Fatmir Sejdiu, që kjo çështje të shtrohet urgjentisht për debat në Kuvend, mirëpo kjo kërkesë nuk është përfillur, për shkak se kjo pikë nuk ishte vënë në rendin e ditës, si dhe për faktin se qeveria nuk u kishte shpërndarë deputetëve materialin. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, e cilësoi ilegal planin e qeverisë për decentralizimin pasi ai nuk ka kaluar përmes Kuvendit. Ai kërkoi që ky plan, para se të vihet në zbatim, të kalojë përmes Kuvendit dhe të plotësohet, për shkak se, si tha ai, si i tillë çfarë është miratuar nga qeveria, krijon bazë reale për ndarje etnike dhe legalizim të strukturave ekzistuese paralele në Kosovë:
“Ky projekt nuk ka as bazë ligjore e as legjitime dhe ne do të kërkojmë që kjo çështje të kthehet në parlament, të debatohet për këtë çështje dhe mbi bazën e debatit që do të zhvillohet në parlament, të hartohet dokumenti i ri për decentralizimin e pushtetit vendor, për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo për krijimin e komunave të reja etnike dhe për krijimin e enklavave të reja në Kosovë”, tha Krasniqi.
Me vendimin e qeverisë për shpalljen e pesë pilot komunave të reja, nuk është pajtuar as subjekti i dytë opozitar, Ora e Veton Surroit, duke e vlerësuar vendimin e qeverisë të paligjshëm. Kryetari i partisë politike Ora, Veton Surroi, kërkoi që të miratohen me urgjencë ligjet përkatëse për decentralizimin, para se të zbatohen pilot projektet, pasi si të tilla nuk kanë bazë ligjore:
“Pilot projektet i konsiderojmë si një kategori ilegale, si një kategori jo kushtetuese dhe si e tillë e pa aplikueshme, pa legjitimitetin dhe legalitetin e duhur që duhet t’i kenë lëvizjet e tilla. Prandaj, kërkojmë që derisa të mos hyjnë në shqyrtim dokumentet përgjegjëse, të mos procedojë puna në implementimin e pilot projekteve”, tha Surroi.
Lidhur me rëndësinë e debatit për decentralizimin, është pajtuar dhe subjekti më i madh politik në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, por ajo ka sugjeruar një seancë tjetër për këtë çështje. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, tha se LDK-ja do të marrë pjesë në atë debat, në kohën kur qeveria paraprakisht t’ua dorëzojë me kohë deputetëve materialet përcjellëse, në mënyrë që debati të jetë sa më i efektshëm për mbarëvajtjen e procesit:
“E mbështesim sugjerimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të organizohet një seancë e veçantë për këtë çështje ku do të debatohet. Njëkohësisht e përshëndesim Qeverinë e Kosovës që i bën çështjet publike dhe e mundëson debatin e Kuvendit, por edhe të shoqërisë në tërësi, sepse një reformë e pushtetit lokal nuk mund të jetë e suksesshme, nëse ajo nuk është e pranueshme nga ana e qytetarëve të Kosovës”, tha Gashi.
Për shkak se që dy partnerët e koalicionit qeveritar, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk u pajtuan as me propozimin tjetër të PDK-së, që Kuvendi të caktojë sot një datë për të debatuar rreth decentralizimit, deputetët e PDK-së lëshuan sallën, ndërsa Kuvendi i vazhdoi punimet me shqyrtimin e pikave të caktuara për rendin e ditës. Që nga formimi i institucioneve të reja, në fundvitin e kaluar, decentralizimi është veçuar si çështja që i ka ndarë plotësisht në pikëpamje pozitën dhe opozitën. Grupi Parlamentar i PDK-së ka mbajtur sot dhe një konferencë për media, në të cilën, deputeti i saj Hajredin Kuçi, ka theksuar se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një çështje teknike, në të cilin mendohet që vetëm duhet të votohet, por jo si vend ku mund të debatohet, ku mund të dëgjohet mendimi i kundërt dhe në fund mund të merret vendimmarrja sipas procedurave të parapara.


XS
SM
MD
LG