Ndërlidhjet

IBRAHIM RUGOVA TËRHIQET NGA POSTI I KRYETARIT TË LDK-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, prej sot nuk është më njëkohësisht dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, post ky që e ka mbajtur që nga themelimi i kësaj partie në dhjetor të vitit 1989 e deri më sot. Sipas një kumtesë të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës që e ka transmetuar Qendra për Informim e Kosovës, e cila mbështetet në burimet e kryesisë së LDK-së, presidenti i Kosovës dhe i LDK-së, Dr.Ibrahim Rugova, e ka njoftuar sot kryesinë në mbledhjen e saj të rregullt, se për shkak të obligimeve të mëdha shtetërore që në këtë fazë kërkon posti i Presidentit të Kosovës, Dr. Rugova ka marrë vendim të tërhiqet nga posti i Kryetarit të LDK-së.
Ndërkohë që zyrtarët e LDK-së nuk kanë pranuar të flasin më detajisht për këtë vendim, vetë presidenti Rugova pas një takimi me shefin e ri të shtyllës së parë të UNMIK-ut për polici dhe drejtësi, Dussair, vetëm sa e ka konfirmuar vendimin e tij:
"Keni një kumtesë sot të kryesisë së LDK-së që i kam njoftuar për tërheqjen time nga posti i kryetarit të LDK-së. LDK-ja do të punojë në mënyrë normale dhe të rregullt".
Në kumtesën e kryesisë së Lidhjes Demokratike thuhet se presidenti Ibrahim Rugova, kërkon mirëkuptim nga udhëheqja dhe anëtarësia e gjerë e LDK-së, brenda dhe jashtë Kosovës, për këtë vendim të tij. I pyetur se cili do të jetë personi që do ta zëvendësojë zotin Rugova në këtë post, apo se kur do të vendoset për këtë, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha:
"Ju lutem, këtë do ta shqyrtojnë strukturat e partisë. Nuk është ndonjë çështje kushedi se çfarë".
Zoti Ibrahim Rugova, i cili në tre vjetët e shkuara ka mbajtur njëkohësisht postin e presidentit të Kosovës dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me vendimin e tij të sotëm për tërheqje nga posti më i lartë i partisë më të madhe në Kosovë, ka përfillur një kërkesë që i ka drejtuar atij Grupi i Kontaktit në fillim të këtij muaji. Në të vërtetë, në kumtesën e Grupit të Kontaktit Plus lëshuar më 2 shkurt, pas takimeve me liderët vendorë në Prishtinë, kërkohej nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, që të përmbushte premtimin e tij për të respektuar kornizën kushtetuese të Kosovës dhe të gjitha aspektet e saj, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më së largu deri në fund të këtij muaji.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim se kur do të emërohet apo kush mund të jetë kryetari i dytë në historinë 15 vjeçare të Lidhjes Demokraktike, që aktualisht është partia me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës.



XS
SM
MD
LG