Ndërlidhjet

GIANFRANCO FINI: STATUSI I KOSOVËS VARET NGA PËRMBUSHJA E STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Statusi përfundimtar i Kosovës është në duart e kosovarëve, ndërsa mënyra e përcaktimit të statusit varet nga projeksioni rajonal në kuadër të Bashkimit Evropian, ka deklaruar sot në Prishtinë, zëvendëskryeministri italian Gianfranco Fini, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Italisë. Këto komente shefi i diplomacisë italiane, Fini, i ka bërë pas takimeve që ka pasur me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.
"Statusi përfundimtar i Kosovës është në duart e kosovarëve, të cilët duhet të përmbushin atë që bashkësia ndërkombëtare e quan të rëndësishme të realizohet," tha Fini, duke e theksuar përmbushjen e standardeve si çështjen më të rëndësishme për Kosovën në rrugën e saj drejt statusit përfundimtar. Ministri i Jashtëm italian Fini, tha se qëndrimi i vendit të tij, nuk dallon nga ai i Bashkimit Evropian, që përjashton opsionet për ndarjen e Kosovës apo kthimin në periudhën e vitit 1999 dhe këtë ua kemi bërë të qartë edhe autoriteteve të Beogradit, tha Fini:
"Askush në BE nuk mendon se Kosova duhet të ndahet dhe se çfarë do të ndodhë më vonë lidhur me statusin, kjo do të bëhet vetëm pas vlerësimit të realizimit të standardeve, si dhe pas një projektimi të vendeve të rajonit në kuadrin evropian," tha Ministri i Jashtëm i Italisë Gianfranco Fini.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Ramush Haradinaj, e kanë falënderuar mysafirin e lartë nga Italia për ndihmën ushatarake dhe ndihmën tjetër që ka dhënë vendi i tij për Kosovën. Presidenti Rugova, pas takimit tha se e kishte njoftuar zotin Fini lidhur me përparimin që është bërë në planin e sigurisë dhe në zhvillimin ekonomik, si dhe për integrimin e grupeve etnike në shoqërinë e Kosovës:
"Po ashtu edhe për normat prioritare që janë për integrim evropian, që është një stabilitet politik, mbrojtja e minoriteteve dhe ne si institucione, jemi gati t’i marrim këto obligime dhe t’i realizojmë. Gjatë këtij viti kur do të bëhet vlerësimi pozitiv i përparimit të Kosovës, gjithsesi institucionet duhet të kenë më shumë kompetenca, sidomos në fushën e ekonomisë e pastaj edhe atë të sigurisë, në mënyrë që të ecim më shpejt".
Edhe kryeministri Haradinaj, për të cilin Fini ishte mysafiri i nivelit më të lartë, që nga zgjedhja në krye të qeverisë, tha se Kosova do të jetë e përgjegjshme në raport me bashkësinë ndërkombëtare:
"E sigurova zëvendëskryeministrin Fini se do të vazhdojmë rrugën tonë të standardeve për Kosovën, se do të thellojmë bashkëpunimin ndër-etnik dhe demokracinë në Kosovë, se do të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe do të jemi të përgjegjshëm në marrëdhëniet tona me bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim që agjendën që e kemi përpara ta realizojmë me sukses", tha kryeministri Ramush Haradinaj duke shfaqur njëkohësisht shpresën se Italia do të jetë partner strategjik për Kosovën në rrugën e saj për integrim në Bashkimin Evropian.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Gianfranco Fini ka biseduar sot edhe me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilëve ua ka prezantuar qëndrimet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për Kosovën. Oliver Ivanoviq, udhëheqës i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, tha se Fini i ka siguruar që standardet do të shqyrtohen seriozisht dhe ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës:
"Ai ka sugjeruar që serbët e Kosovës gjithsesi duhet të marrin pjesë në institucione, pasi kjo është rruga e vetme për respektimin e të drejtave të ligjshme të serbëve, pasi Beogradi nuk mund të jetë zëvendësues," tha Ivanoviq, duke shtuar se Beogradi nuk do të përjashtohet nga diskutimet për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG