Ndërlidhjet

logo-print

A. GASHI: DECENTRALIZIMI, PROJEKT I IMPONUAR NGA BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE


Alush Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni raportin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara?

ALUSH GASHI
Përmes mediumeve ne jemi të informuar për një pjesë të raportit, sepse raporti i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm nuk ka kaluar as në një formë të një drafti konsultativ me grupet parlamentare apo komisionet e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë nga mediumet kuptohet që është një qasje më e avancuar ndaj njohjes së realitetit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse përqëndrohemi edhe në takimin e fundit në Bruksel, sa konsideroni se te bashkësia ndërkombëtare dhe mekanizmat kryesorë ndërkombëtarë ka një gadishmëri që statusi i Kosovës të fillojë të përcaktohet këtë vit?

ALUSH GASHI
Në dy dekadat e fundit çështja e stabilitetit dhe sigurisë së Evropës Juglindore ka qenë dhe është edne çështja e Kosovës. Paqja në Evropë është çështje e interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por besoj se është në interes edhe të Brukselit. Prandaj besoj që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimi Evropian, janë të ndërgjegjshëm se liria dhe pavarësia e Kosovës është faktor i stabilitetit dhe se kosovarët gjatë këtyre pesë viteve të pasluftës por edhe gjatë dhe një dekade të ndërtimit të shoqërisë civile kanë demonstruar se mund ta mbajnë një shtet të pavarur, në një ndërvarshmëri globale si për çdo shtet tjetër. Prandaj besoj se bashkësia ndërkombëtare do të vendosë që Kosova të ketë pavarësinë e vet, një pavarësi me një sovranitet bashkëkohor, ku komuniteti ndërkombëtar në fazën fillestare do t'i ndihmojë Kosovës që të dëshmojë gadishmërinë për stabilitet dhe prosperitet të Evropës Juglindore.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë është shpallur një plan me të cilin synohet të zbatohet testimi i decentralizimit në Kosovë. Cili do të jetë këtu roli i parlamentit, respektivisht a do të shtrohet çështja e decentralizimit edhe në Parlamentin e Kosovës, siç ka kërkuar opozita?

ALUSH GASHI
Çështja e riorganizimit të pushtetit lokal nuk është projekti jonë. Është një projekt i ofruar, për të mos thënë i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare, si mjet për, siç thonë ata, realizimin e të drejtave të qytetarëve, në veçanti të pakicave. Lidhur me këtë çështje në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka patur debat. Grupet parlamentare e kanë kërkuar debatin, seanca plenare e ka pranuar dhe unë shpresoj që qeveria duhet të jetë e vetëdijshme që para shpalljes së vendimit të saj publik, të informojë dhe të konsultohet me Kuvendin. Përveç asaj nga Grupi i Kontaktit dhe nga puna, e cila është bërë jashtë syve të Kuvendit për mëse një vit, kuptohet se lidhur me këtë çështje Kuvendi do të ketë rol vendimtar sa i përket miratimit të ligjeve lidhur me këtë projekt.

RADIO EVROPA E LIRË
Decentralizimi është vetëm një nga standardet që është vënë paralel me tetë standardet e tjera. Në anën tjetër sa besoni se institucionet e reja të Kosovës kanë arritur dinamikën e duhur që në në afat, kushtimisht thënë, t'i plotësojnë në shkallën e kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare këto standarde, në mënyrë që mesi i këtij viti të jetë dhe fillimi i bisedimeve për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës?

ALUSH GASHI
Ne për një kohë të gjatë kemi qenë në dijeni dhe kemi punuar me shumë përkushtim me të ashtuquajturat tetë standarde. Në kuadër të atyre tetë standardeve nuk ka qenë decentralizimi. Decentralizimi është ofruar në institucionet e Kosovës dhe në tematikën kosovare në përgjithësi si një temë e imponuar, për të cilën ne provojmë të japim përgjigje institucionale të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Këtë çështje në njëfarë mënyre e ka vështirësuar edhe ndërhyrja e institucioneve të Beogradit direkt në këtë projekt, për të cilin ne mendojmë se duhet të jetë ekskluzivisht projekt i qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj. Sa i përket decentralizimit, përvoja e vendeve të tjera tregon se është një proces afatgjatë, një proces, i cili kushton dhe një proces, i cili nuk mund të realizohet pa vullnetin e qytetarëve të cilëve ju dedikohet. Prandaj nuk është çështje vetëm e institucioneve të pakicës. Lidhur me këtë çështje duhet të pajtohet shumica e qytetarëve të Kosovës, sepse është shumë e vështirë apo e paimagjinueshme, që të kënaqet pakica duke e shqetësuar shumicën. Megjithatë jam i bindur se egziston një kapacitet i mjaftueshëm udhëheqës dhe demokratik në institucionet e Kosovës, që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare t'i qaset mirë kësaj çështjeje. Nuk ka nevojë që të ketë hapa shumë të ngutshëm. Ne nuk jemi të interesuar që kjo çështje të dështojë, por njëkohësisht kemi përvojën e vendeve të tjera se ky proces ka zgjatur me shumë vite dhe pas shumë viteve disa vende janë tërhequr nga rruga e filluar.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG