Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS U BËRI THIRRJE QYTETARËVE SERBË QË TË KTHEHEN NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova është në njërën ndër fazat më kritike dhe më të rëndësishme të historisë së saj, prandaj qytetarët e Kosovës kanë obligim moral dhe qytetar të kuptojnë rëndësinë e procesit dhe shumica shqiptare duhet të krijojë kushte që pakica serbe të mund të lëvizë lirshëm në territorin e Kosovës. Kështu fillon një ftesë e hapur e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetarëve të komunave të Kosovës për kthimin e të zhvendosurve, e bërë publike sonte në mbrëmje. Duke shpjeguar esencën e kësaj thirrjeje publike, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arben Qirezi tha:
"Qytetarët e Kosovës duhet të angazhohen së bashku me institucionet, që në Kosovë të krijohen kushtet për të gjithë njerëzit, që momentalisht apo për çfarëdo arsye, nuk gjenden në Kosovë apo jetojnë jashtë vendbanimeve të tyre, që të mund të kthehen, të jetojnë dhe të punojnë të qetë dhe në liri të plotë të lëvizjes në pronat dhe në vendbanimet e tyre".
Në ftesën e qeverisë thuhet se shumica shqiptare ka obligim të veçantë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb. Ata duhet të jenë në gjendje që të lëvizin të lirë në territorin e Kosovës.
Ndërkohë personat e zhvendosur, pavarësisht nga përkatësia etnike, ftohen që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre dhe të jenë pjesë e ndërtimit të ardhmërisë së Kosovës, ndërsa qytetarët ftohen të respektojnë të drejtën pronësore dhe të fillojnë të lirojnë pronat e uzurpuara. Ky, thuhet në kumtesë, do të jetë treguesi më i rëndësishëm se në Kosovë ka ligj dhe se qytetarët e saj e respektojnë atë, shpjegoi Qirezi:.
"Prona në çdo shoqëri demokratike është e shenjtë dhe duhet të respektohet. Pa respektimin e pronës, nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik dhe as respektim të të drejtave të njeriut,"
Përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Rangjel Nojkiq e ka çmuar ftesën e qeverisë, por ka kërkuar që ajo edhe të jetësohet me veprime konkrete:
"Një hap konkret sigurisht se do të jetë, nëse jetësohet thirrja për kthimin dhe lirimin e pronës dhe nëse pushteti lokal e kupton seriozisht këtë thirrje," tha Rangjel Nojkiq.
Në anën tjetër zëdhënësi Qirezi ka thënë se është në interes të të gjitha grupeve etnike të shohin interesin e tyre jetësor në Kosovë dhe t’i realizojnë të drejtat e tyre nëpërmjet institucioneve të Kosovës:
"Qeveria e Kosovës, kryeministri në këtë rast dhe kryetarët e komunave të Kosovës kanë ftuar qytetarët serbë që të integrohen në mënyrë të plotë te institucionet e Kosovës".
Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës në këtë ftesë publike për kthimin e të zhvendosurve thotë se mbrojtja e objekteve fetare, pavarësisht prej përkatësisë së tyre, është pjesë e pandashme e kulturës sonë, e cila duhet mbrojtur dhe respektuar dhe i duhet dëshmuar botës se Kosova është e aftë të qeverisë vetveten dhe qytetarët e saj dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre, sepse vetëm kështu përpjekjet e tashme të qeverisë, do të rezultojnë me zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe integrim evropian.

XS
SM
MD
LG