Ndërlidhjet

JESSEN-PETERSEN: RRUGA PËR BISEDA PËR STATUS KALON NËPËR STANDARDET PRIORITARE


Robert McMahon, Nju Jork Kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, thotë se ka parashikime të mira për fillimin e negociatave lidhur me statusin final të Kosovës, më vonë gjatë këtij viti. Zoti Petersen i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se liderët shqiptarë të Kosovës kanë demonstruar gatishmëri politike për ndërmarrjen e reformave për të drejtat e pakicave. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zoti Petersen u shpreh optimist për fillimin e bisedimeve për statusin, duke thënë se ato janë shumë të rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në rajon.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, që debatoi për Kosovën, Soren Jessen Petersen, në bisedë me një grup të vogël reporterësh, tha se qeveria e Ramush Haradinajt, ka dëshmuar se është serioze për përmbushjen e shpejtë të standardeve:

- Shqiptarët e Kosovës janë në mënyrë të dukshme shumë të vendosur për të lëvizur drejt bisedave për status. Por mesazhi nga unë, nga Grupi i Kontaktit dhe nga Këshilli i Sigurimit është shumë i qartë, se rruga e bisedimeve për status kalon përmes një varg standardesh prioritare që kanë të bëjnë me minoritetet. Unë kam besim se qartas është kuptuar se çka kërkohet, tha Jessen Petersen.

Ai shprehet se beson se ka gjasë të mira, që bisedimet për status, mund të fillojnë në gjysmën e dytë të këtij viti. Ai thotë se procesi është shumë i rëndësishëm edhe për nxitjen e ekonomisë së Kosovës, ku papunësia është afro 70%. Zoti Jessen Petersen shprehet se perspektiva ekonomike është shumë e zbehtë pa zgjidhjen e statusit final.

Në këtë aspekt ai thotë:
- Nuk ka dyshim se, për të parë një ndryshim të rëndësishëm thelbësor dhe përmirësim, kërkohet me siguri statusi. Nuk ka gjasë që ju do të keni çfarëdo lloj të investimeve në Kosovë, përderisa investitori nuk e di se në çfarë investon. Privatizimi ka qenë inkurajues, por jo në atë masë që do të shkaktonte ndonjë përmirësim në papunësi, thotë kryeadministratori i Kosovës.

Duke folur për çështjen e transferit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës, ai thotë se ky ishte një proces i ndjeshëm dyshkallësh, përfshirë këtu edhe kompetencat nga UNMIK-u te Qeveria e përkohshme. Pastaj zyrtarët në Prishtinë do t'i transferojnë kompetencat te komunat, ku shumë probleme lidhur me të drejtat e minoriteteve do të shqyrtoheshin më me sukses.

- Ne tash jemi në procesin e finalizimit të planit aksional për transferin e më shumë kompetencave në fushën e policisë dhe të drejtësisë, dhe posa kjo të bëhet, ne do të shqyrtojmë çështjen se si t'i transferojmë këto kompetenca edhe në nivelin lokal, pra në komuna, thotë Soren Jessen Petersen.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, zyrtari i Serbisë, Nebojsha Çoviq i numëroi shumë fusha ku, sipas tij, progresi ka qenë i dobët, përfshirë këtu edhe atë që ai e quajti "mungesë të sigurisë elementare për serbët dhe për joshqiptarët e tjerë". Zoti Petersen këtë diskutim të zotit Çoviq në Këshillin e Sigurimit e vlerësoi si diçka që nuk përkon me realitetin. Ai në intervistë për Radion Evropa e Lirë, lidhur me këtë çështje, tha:

- Unë nuk them se zoti Çoviq ose Beogradi, nuk kanë të drejtë të kritikojnë ose të brengosen. Ka arsye. Por ajo që unë e kundërshtoj është se ju nuk mund t'i injoroni faktet në terren, dhe, në këtë aspekt, unë po e paraqes shembullin e sigurisë. Si mund të flisni për pasiguri, për shumë incidente, kur është fakt se prej qershorit nuk ka pasur asnjë incident të vetëm ndër etnik, tha zoti Petersen.

I pyetur për mundësinë që Tribunali i Hagës, të paraqesë akuza ndaj kosovarëve, kryeadministratori Petersen, pos tjerash, tha:

- Unë sinqerisht besoj dhe pres se nëse situata lidhur me akuzat arrinë deri në atë shkallë, atëherë Kosova dhe personi individual do të tregojnë shembull të drejtë të bashkëpunimit me Tribunalin, tha Soren Jessen Petersen në intervistë për Radion Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG