Ndërlidhjet

MOORE: "BUSH VIZITOI EVROPËN NË NJË POZITË FUQIE"


Patrick Moore, analist i Radios "Evropa e Lirë"

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo javë u shënua me vizitën e parë të presidentit Bush në Evropë në mandatin e tij të dytë. Në përgjithësi, a pajtoheni me disa analistë se ky mision kishte për qëllim zbutjen e raporteve trans-atlantike?

PATRICK MOORE
Kjo është sigurisht çështja për të cilën bëhet fjalë. Kjo nuk ishte thjesht vizita e tij e parë në kuadrin e mandatit të dytë presidencial në Evropë, por ishte vizita e tij e parë në përgjithësi e këtij mandati, gjë që tregon rëndësinë që ka për të përmirësimi i marrëdhënieve me aleatët tradicionalë evropianë, sidomos me ata që kundërshtuan shumë lidhur me çështjen e Irakut, sidomos me Francën, Gjermaninë, Belgjikën dhe disa të tjerë. Pra është e veçantë që ai vizitoi Evropën. Pse e bëri këtë? Numri i fundit i revistës "Economist" përmendte se disa evropianë, e di që sidomos bëhet fjalë për njerëz në Francë dhe Gjermani, thonë se presidenti Bush shkoi në Evropë i shtyrë nga një pozicion dobësie. Sipas kësaj teorie zoti Bush ka kuptuar që nuk mund të arrijë çfarë dëshiron në Lindjen e Mesme dhe në botë pa mbështetjen e evropianëve, që ai kishte gabuar në njëanshmërinë e tij, duke harruar që në të vërtetë Amerika ka patur Britaninë e Madhe dhe aleatë të tjerë në anën e saj. Pra, sipas tyre presidenti Bush e vizitoi Evropën për shkak të ndjenjës së dobësisë. Administrata amerikane nuk e pranon këtë këndvështrim. Sipas saj presidenti shkoi në Evropë në një pozitë fuqie. Zgjedhjet në Irak dëshmuan që çlirimi i Irakut ishte i arsyeshëm dhe që irakanët dinë diçka lidhur me lirinë dhe demokracinë. Dhe ajo që presidenti Bush po bën është lejimi i Evropianëve që të rikthehen në bashkëpunimin e tyre për paqen në Lindjen e Mesme dhe për çështjen e lirisë në botë. Por kjo nuk do të jetë gjë e lehtë. Një analist theksoi se në fjalimin e tij drejtuar Kombit, zoti Bush përdori fjalën liri shumë herë por në fjalimet e tij të fundit kancelari gjerman Shrëder nuk e ka përmendur asnjëherë këtë fjalë.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët Irakun…është thënë se problem kryesor mbetet ky vend, por se kishte disa qëndrime të përbashkëta për Iranin dhe Sirinë. A mund ti shpjegoni këto pozicione nga të dy palët?

PATRICK MOORE
Sa i përket Iranit dhe Sirisë, ka një pikëpamje shumë të thjeshtuar në disa media, që Evropianët favorizojnë një zgjidhje diplomatike ndërsa SHBA-të do preferonin një zgjidhje ushtarake, por ky është konstatim i gabuar. Ajo që shohim është e kundërta…veçanërisht për Iranin është një qëndrim mjaft i mençur i shkopit dhe karrotës, ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, veçanërisht ekipi francezo-gjermano-britanik përdor karrotën ndërsa amerikanët mbajnë shkopin si rezervë. Presidenti Bush ka qenë shumë i qartë se nuk është i përkushtuar që të përdorë aksione ushtarake ndaj Iranit. Ai ka thënë se Irani nuk është Irak dhe me këtë ka nënkuptuar që edhe opsionet ushtarake i ka në tryezë si të mundshme. Sigurisht që nëse filloni negociatat me një palë mjaft të vështirë, jo gjithmonë tregoni saktësisht se cilat janë opsionet tuaja, dhe as nuk i përjashtoni mundësitë. Pra duke thënë se i ka opsionet në tavolinë, presidenti Bush po ndjek një politikë të mençur, duke i mbajtur iranianët të pasigurt lidhur me atë që ka ndërmend të bëjë. Megjithatë mendoj se as Irani, e as Siria nuk janë çështje reale, por është Kina, është çështja e embargos së armëve të BE-së ndaj Kinës, e cila ka qenë në fuqi që nga masakra në sheshin Tien An Men në qershor të vitit 1989, të cilën Franca, Gjermania dhe deri diku Britania e Madhe duan ta heqin, me qëllim të përfitimeve financiare përmes shitjes së armëve kinezëve. Gjithashtu ka një dimension politik të kësaj qasjeje ndaj Kinës dhe disa njerëz në Shtetet e Bashkuara mendojnë që Franca është veçanërisht e interesuar për një marrëdhënie ushtarake për balancin kundër Shteteve të Bashkuara. Problemi për amerikanët është se kanë një marrëveshje bilaterale të mbrojtjes ushtarake me Japoninë dhe kanë marrëdhënie të ngushta ushtarake me Tajvanin. Dhe nuk duan të gjenden në një situatë lufte me Kinën e armatosur me teknologjinë e dhënë nga vendet që pretendohet së janë aleatët e tyre tradicionalë. Nëse Bashkimi Evropian do vazhdojë përpara duke e hequr këtë embargo, atëhere Kongresi i Shteteve të Bashkuara, ashtu siç e theksoi dhe presidenti Bush, do duhet të vendosë se çfarë do bëjë lidhur me këtë çështje. Sepse Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar tashmë një rezolutë që kundërshton shitjen e armëve Kinës prej evropianëve. Kjo nuk është një çështje e thjeshtë diplomatike apo filozofike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur shumë aktivitete ndërmjet zotit Bush e zyrtarëve evropianë në Bruksel. Në përgjithësi, ata ishin optimistë lidhur me marrëdhëniet e ardhshme. Sipas jush a do të ndodhë kjo?

PATRICK MOORE
Do doja të tërhiqja vëmendjen tuaj ndaj një komenti i cili doli të enjten, në gazetën gjermane Frankfurter Algemaine Zeitung (Frankfurter Allgemajne Cajtung). Ky koment theksonte që nuk do jetë e mundur të kthehet prapa ora për 5, 10 apo 15 vjet, thjesht për faktin se kohët kanë ndryshuar. Kemi gjenerata të reja që kanë eksperienca të tjera. Gjëja më e rëndësishme është që nuk ekziston më kërcënimi sovjetik, që do t'i mbante të bashkuar partnerët nga të dyja anët e Atlantikut. Mendoj se kur flitet për Shtetet e Bashkuara nga njëra anë dhe për vendet si Franca dhe Gjermania nga ana tjetër, duhet të pranojmë që nuk egziston më ai besim që ka qënë më parë. Por çfarë u rekomandua në këtë gazetë? U rekomanduan disa pika që mendoj se do të ishin shumë të mençura. Pika e parë është që i inkurajuan Shtetet e Bashkuara që të mos përpiqen të kenë një politikë " përçaj dhe sundo" në Evropë dhe nga ana tjetër inkurajuan evropianët që të mos përpiqen të krijojnë një rivalitet me Shtetet e Bashkuara. Kjo është e rëndësishme, pasi ashtu siç shkruajti një e përditshme vjeneze këtë javë, kur presidenti Bush po takohej me kancelarin Shrëder, ata dëshironin që presidenti Bush të angazhohet në një retorikë të ashpër ndaj evropianëve, pasi kjo do të çonte në krijimin e një fronti të bashkuar evropian antiamerikan. Pra siç u përmend në këtë gazetë të respektuar vjeneze, ka një treg antiamerikan në Evropë. Pika e dytë e Frankfurte Algemaine ishte që për shkak se rreziku sovjetik, i cili mbante të bashkuar Aleancën nuk ekziston më, themelet nuk janë aq të fuqishme sa më parë. Kështu nuk është ide e mirë që të merret një argument mospajtimi dhe të çohet në ekstremitet. Kërkohen qasje të moderuara. Pika e tretë që rekomandoi gazeta gjermane ishte që projektet të bazohen jo në ideologji, por në themele pragmatike. Meqënëse është mëse e qartë që ka ideologji të ndryshme nga të dyja anët e Atlantikut, mendoj që është gjithashtu i mençur një angazhim për problemet ku mund të gjendet terreni i përbashkët.


Intervistoi Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG