Ndërlidhjet

logo-print

FUNKSIONIMI I INSTITUCIONEVE- STANDARDI ME PËRPARIMIN MË TË MADH


Zijadin Gashi, Prishtinë

Funksionimi i Institucioneve Demokratike, që paraqitet si standardi i parë në kuadër të tetë standardeve që i janë përcaktuar Kosovës për t’i përmbushur, duhet të plotësohet deri më 31 mars të këtij viti. Kështu ka thënë sot, kryesuesi i grupit të parë për standardet, Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale, Ahmet Isufi. Prioritetet e përcaktuara për t’u përmbushur në këtë standard, siç janë aprovimi i legjislacionit në këtë fushë, barazia e gjuhëve dhe miratimi i legjislacionit për transmetuesin publik, janë në përfundim e sipër, tha ministri Isufi. Në përgjithësi, ai tha se beson se institucionet e Kosovës janë funksionale dhe në masën e kënaqshme edhe demokratike:
“E mendojmë që në masë të duhur, krahasuar me rrethanat egzistuese janë funksionale, normalisht kanë edhe të metat e tyre, por janë funksionale për arsye se në zgjedhjet që i kemi pasur, kemi arritur të tregojmë shembull madje edhe për rajonin, pastaj në funksionimin adekuat të institucioneve sa i përket zbatueshmërisë dhe aplikimit të ligjeve kemi një efektivitet krahasuar me rrethanat që i kemi”, tha ministri Isufi.
Përparimet e arritura në këtë standard, janë më të theksuara sesa në standardet e tjera, ka vlerësuar, koordinatori i qeverisë së Kosovës për standardet, Avni Arifi. Ai tha se pret që prioritetet e përcaktuara për vlerësim pozitiv në këtë standard do të plotësohet me dinamikën dhe afatin e paraparë:
“Kur kemi të bëjmë me standardin e parë, funksionimi demokratik i institucioneve, të arriturat kanë qenë më të mëdha sesa në grupet e tjera, është arritur progres posaçërisht në aspektin legjislativ. Kur e them këtë, kam parasysh se Ligji për Komisionerin e Pavarur për Media është në proces, drafti i parë i Ligjit për RTK-në pothuajse është kryer, pastaj është ligji për kodin e gazetarëve gjithashtu në fazën përfundimtare, rregullorja e qeverisë është miratuar, ajo e komunave është funksionale që prej 2 vitesh, kurse së shpejti pritet dhe rregullorja e parlamentit”, tha Arifi.
Një çështje tjetër që paraqitet si pengesë e veçantë në funksionimin e institucioneve të Kosovës në të dy nivelet, është egzistimi i strukturave paralele. Mirëpo, sipas ministrit Ahmet Isufi, qeveria Haradinaj po punon që këto struktura të shuhen dhe që serbët e Kosovës të integrohen në kuadër të sistemit legal:
“Reflektim ka normalisht në disa segmente, por që tani janë duke u zbutur dhe mendojmë që strukturat paralele nuk do të egzistojnë në Kosovë, sepse nuk kanë arsye të ekzistojnë”, tha Isufi.
Përndryshe, nga tetë standardet e përcaktuara për Kosovën, Funksionimi i Institucioneve Demokratike dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, janë vlerësuar nga koordinatori Arifi, me të arriturat më të mëdha. Ndërkaq, Kthimi i Qëndrueshëm, Liria e Lëvizjes dhe Çështjet Pronësore, thuhet të jenë standardet me më së paku të arritura. Puna aktuale në Prishtinë për përmbushjen e standardeve ka të bëjë dhe me përgatitjen e raportit të parafundit teknik që do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit për vlerësim diku në fund të muajit prill, ndërsa vlerësimi final do të bëhet në fund të muajit maj, kur Këshilli i Sigurimit, Grupi i Kontaktit dhe vendet e kyçura në çështjen e Kosovës do të vlerësojnë shkallën e përparimeve të arritura dhe varësisht nga kjo edhe hapjen apo jo për diskutimin e çështjes së statusit të Kosovës.




XS
SM
MD
LG