Ndërlidhjet

VAZHDON DRAMA E 70 PACIENTËVE SHQIPTARË NË SPITALIN E TOPANICËS- SERBI


Bekim Bislimi, Prishtinë

Numri i pacientëve shqiptarë nga Kosova në Spitalin Psikiatrik në Topanicë të Epërme në Nish, është më i madh se sa 47, numër ky i cili është dhënë sipas burimeve të ndryshme. Kështu kanë njoftuar përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Prishtinë. Idriz Gashi, përgjegjës për komunikim me media nga ky Komitet, thotë se gjatë vitit të kaluar nga ky spital ka pasur edhe transferim të pacientëve për në Kosovë.
“Mund të them që diku afër 70 pacientë nga Kosova, momentalisht trajtohen në Spitalin e Topanicës në Nish. Në vitin 2004, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ka transferuar 2 pacientë nga spitali psikiatrik i Toponicës dhe i ka ribashkuar ata me familjet e tyre këtu në Kosovë. Në momentin kur këta pacientë sillen në Kosovë, rastet e tyre menjëherë u referohen qendrave më të afërta për shëndetin mendor në Kosovë, që në një mënyrë edhe qendrat e shëndetit mendor të kenë kontakte direkte me familjet dhe këta pacientë, që të jenë në gjendje që ta përcjellin gjendjen e tyre”.
Ndërkaq, duke u nisur nga fakti se kurimi i pacientëve psikiatrikë është e lidhur edhe me çështjen e përdorimit të gjuhës, përkatësisht përdorimit të logoterapisë, psikologu Pajazit Nushi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se pamundësia që në Spitalin e Topanicës të bëhet kurimi i pacientëve shqiptarë në gjuhën e tyre, është shkelje e të drejtave njerëzore.
“Këta janë neuropsikiatrikë shqiptarë dhe kurimi tyre është i domosdoshëm që të bëhet në gjuhën, të cilën edhe ata kanë mundësi ta kuptojnë dhe të përgjigjen. Meqë nuk kanë mundësi të përgjigjen në gjuhën e tyre, mendoj se është një shkelje relativisht e rëndë e të drejtës së individit për egzistencë dhe për kurim, përkatësisht për shërim”.
Në anën tjetër familjarët e këtyre pacientëve kërkojnë që të afërmit e tyre të sillen nga spitali i Topanicës në mënyrë që të kurohen në Kosovë, thotë zoti Gashi nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
“Kërkesat e familjarëve mbesin, që ti kenë të afërmit e tyre në gjirin e vet, pranë. Mirëpo, në pamundësi për t’u ofruar një kujdes të duhur, këto familje nuk janë të gatshme t’i pranojnë. Prandaj, kërkojnë në vazhdimësi që institucionet, këtu në Kosovë, të ndërmarrin hapa urgjentë që t[i pranojnë, që të krijojnë, të formojnë apo të ndërtojnë objekte të tilla me destinim të tillë, ku familjarët e tyre mund të kenë një kujdes të vazhdueshëm mjekësor, duke marrë parasysh gjendjen e tyre”
Ndërkaq sipas zotit Nushi, edhe moskrijimi i kushteve nga institucionet kosovare që këta pacientë të kurohen në Kosovë, paraqet shkelje të të drejtave njerëzore.
“Pamundësia e sistemimit të këtyre pacientëve në institucionet kosovare është e palejueshme dhe si e tillë, nuk ka mëdyshje se është shkelje e rëndë e të drejtave individuale të cilitdo individ, në këtë rast të atyre që janë të vendosur në spitalin e Nishit. Duhet të bëjnë çmos që t’i tërheqin këta të sëmurë, për të siguruar kushte kurimi të plota në ato mjedise, në të cilat kanë mundësi që të përmirësohen ose në të cilat kanë mundësi, së paku, që ta ndjejnë veten më të qetë se sa në mjediset ku nuk mund të t’ju sigurojnë kushte të qetësisë të plotë të tyre."
Sipas informatava të cilat i posedon Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, thotë Idriz Gashi, egziston kërkesa nga Drejtoria e Spitalit Psikiatrik në Topanicë të Epërme në Nish, që pacientët shqiptarë, gjendja e të cilëve është përmirësuar deri diku, të përcillen për në Kosovë.
“Ne mbesim në qëndrimin tonë, se nuk mjafton vetëm kërkesa e autoriteteve të spitalit në Nish për t'i dërguar këtu në Kosovë, por duhet të egzistojë edhe kërkesa e familjeve për t’i pranuar dhe natyrisht, në këtë drejtim, mendoj se duhet të egzistojë një mobilizim më i madh jo vetëm i familjeve, por edhe institucioneve të Kosovës, që të krijojnë infrastrukturë të tillë për t’i pranuar sa më parë dhe sa më shpejt që është e mundur ata”.

XS
SM
MD
LG