Ndërlidhjet

PA MEDIA TË LIRA DHE TË PAVARURA NUK NDËRTOHET DEMOKRACIA


Milazim Krasniqi, Prishtinë

Java e fundit është karakterizuar nga një ashpërsim i raporteve ndërmjet gazetarëve dhe politikanëve në disa komuna të Kosovës, gjë që shpreh një moment të ri për sfidat e proceseve demokratike në vend. Pas pengimit të hyrjes në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së një gazetari, të bërë me urdhër të kryeshefit të egzekutivit, ndodhi rasti edhe më drastik në Ferizaj.Në këtë rast vetë kryeshefi i egzekutivit të Ferizajt i theu diktafonin një gazetari dhe i kërcënoi të tjerët që të dilnin nga godina. Këto dy incidente shënuan pikat kulmore të një fërkimi të tejzgjatur ndërmjet gazetarëve dhe politikanëve në Kosovë por të mbajtur disi të fshehtë. Reagimi i shoqatës së gazetarëve dhe mediave ndaj sulmit kundër lirisë së shtypit kësaj here ishte shumë më energjik se në të kaluarën. Kjo retorikë e ngritur e gazetarëve ndaj disa pushtetarëve agresivë, paraqet një nivel vetëdijësimi të tyre. Ata e provuan se askujt më nuk duhet t'ia lejojnë që të fshihet nën maskën e patriotizmit të rremë, e në të njëjtën kohë të shpërdorojnë pushtetin dhe të sulmojnë vlerat demokratike. Denoncimi i rasteve të korrupsionit dhe të luftës së ashpër për pushtet partiak në komunat e Mitrovicës dhe të Ferizajt, që ishte shkak i reagimit të dhunshëm të atyre pushtetarëve, nuk i stepi kësaj here gazetarët. Përkundrazi ndoshta është hera e parë që ata kalojnë në ofenzivë dhe marrin guxim që t'i adresojnë problemet e veta me pushtetarët e papërgjegjshëm. Shembulli më tipik ishte ai i një radioje lokale në Ferizaj, e cila gjatë gjithë kohës një ditë transmetoi fjalët kërcënuese të shefit të egzekutivit ndaj gazetarëve dhe zhurmën e diktafonit të thyer për të treguar të vërtetën e dhunës së ushtruar ndaj profesionit të gazetarit. Nuk është krejt e rastit që ky qëndrim energjik i shoqatave të gazetarëve, ka qëlluar në të njëjtën kohë kur po zhvillohet debati publik lidhur me ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Gjatë këtij debati u pa se ka një anashkalim të gazetarëve dhe se prioriteti i ligjit bazohet më shumë në kufizimin e lirisë së mediave, sesa në mbrojtjen e lirisë së tyre. Duket këtë frymë shtrënguese të projektligjit ndaj mediave dhe ndaj gazetarëve e kanë ndier të parët disa politikanë që kanë gjëra për të fshehur nga publiku dhe kanë filluar të manifestojnë arrogancën ndaj tyre. Prandaj dhe këto raste bëjnë të domosdoshëm një rishikim të projektligjit për mediat. Edhe në dritën e mbrojtjes së profesionit të gazetarëve dhe të pavarësisë editoriale të mediave. Pas plasimit me kujdes të reagimeve ndaj rasteve të incidenteve të ndodhura, edhe vetë gazetarët do duhej të fokusoheshin pikërisht në argumentimin e nevojës së mbrojtjes me ligj të profesionit të tyre dhe të mediave të tyre. Duket paradoksale, por është edhe shumë shqetësuese që disa pushtetarë vendorë, ende pa u mbartur kompetencat e pushtetit mbi mediat tek ata, kërcëllojnë dhëmbët ndaj gazetarëve e ndaj mediave. Në rast se nuk do të ketë një adresim të qartë në ligj të përgjegjësive edhe për pushtetarët që abuzojnë me pushtetin, atëhere do të ketë një ngushtim të hapësirës së lirisë së gazetarëve të mediave në Kosovë. Rrjedhimisht mund të ndodhë edhe frenimi i procesit demokratizues në shoqëri, sepse pa media të lira dhe pa politika editoriale të pavarura nga pushteti, askund në botë nuk është ndërtuar një demokraci e lirë. Gazetarët në Kosovë e kanë bërë këto ditë një hap fillestar për mbrojtjen e profesionit të tyre dhe të vlerave demokratike. Por ata duhet të jenë më ngulmues në këtë drejtim dhe të përkrahur edhe nga shoqëria civile edhe nga opinioni publik.



XS
SM
MD
LG