Ndërlidhjet

ÇFARË PAS DORËHEQJES SË KRYEMINISTRIT TË LIBANIT?


Payman Pejman

Kryeministri i Libanit, Omar Karami dha dorëheqje këtë të hënë në fillim të mbledhjes së Parlamentit ku pritej të diskutohej vrasja e ish-kryeministrit Rafi Hariri, që ndodhi para dy javësh.
Zoti Karami tha vetëm se ishte i shqetësuar pasi disa mund ta shohin qeverinë e tij si një pengesë drejt progresit. Pastaj ai i befasoi të gjithë kur shpalli se po largohej nga posti. Me këtë rast Omar Karami tha:
"I falënderoj deputetët që më siguruan se do të votojnë për besim ndaj qeverisë. Për shkak të shqetësimeve të mia se nga disa qeveria mund të shihet si pengesë për të mirën e vendit, unë shpall dorëheqjen nga qeveria që e udhëhoqa", tha zoti Karami.
Politikanët dhe analistët në Bejrut thonë se kritikat në adresë të qeverisë së tij ai i kishte kuptuar si kritikë ndaj tij, pasi ata nuk besojnë se dikush e kishte detyruar zotin Karami që të tërhiqej.
Ish kryeministri Selim Hosh i tha radios Evropa e Lirë, se dorëheqja e zotit Karami krijon një vakum politik që mund të jetë i rrezikshëm. Në këtë aspekt ai thotë:
"Po ka rrezik. Kjo zbrazëti mund të plotësohej vetëm nëse opozita është e gatshme të angazhohet në procesin e konsultimeve, që është në harmoni me kushtetutën. Unë jam njëri nga ata që tani kam frikë, pasi kjo ndoshta nuk do të ndodhë së shpejti. Opozita ende ngurron që të flasë me presidentin", thotë Selim Hosh.
Kjo opozitë e Libanit, që udhëhiqet nga Valid Xhumblat, thotë se së shpejti do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmerren. Ka pasur mospajtime të thella ndërmjet opozitës dhe presidentit, i cili sikur edhe kryeministri Karami, që dha dorëheqje, konsiderohet aleat i Sirisë.
Zëdhënësi presidencial, Rafik Shalala, thotë se presidenti i Libanit do t'i fillojë konsultimet me kryetarin e parlamentit Nebih Berri, për caktimin e një kryeministri të përkohshëm derisa të mbahen zgjedhjet në muajin prill.
Ish kryeministri Selim Hosh, thotë se me gjasë qeveria aktuale do të vazhdojë t'i kryejë detyrat e saj. Por, kjo gjë, sipas zotit Hosh, është arsye për shqetësim pasi mund të ndodhë çdo gjë...bile edhe mund të ketë dhunë.
Në këtë kuadër ish kryeministri Hosh, thotë:
"Në praktikë, nën këto rrethana, nuk mund ta imagjinoj asnjërin nga ministrat duke shkuar në zyre për t'i kryer detyrat e përditshme. Prandaj jam shumë i brengosur se nuk do të ekzistojë as minimumi i qeverisjes në vend dhe kjo mund të çojë në një situatë ku të gjitha mundësitë janë të hapura", thotë ish kryeministri Selim Hosh, duke folur për rrethat aktuale në Liban.
XS
SM
MD
LG