Ndërlidhjet

LIRIA E LËVIZJES PËR PAKICAT ENDE NUK ËSHTË E PLOTË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në Kosovë ka përmirësim të lirisë së lëvizjes edhe për pakicat, por liria e lëvizjes është edhe çështje e perceptimit të komuniteteve për këtë, kanë thënë zyrtarë të UNMIK-ut, duke iu përgjigjur një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, ku thuhet se UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet kanë dështuar të sigurojnë të drejtën e pakicave për lëvizje të lirë. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Singh tha se nuk është mirë të flitet në mënyrë të përgjithshme për dështime apo suksese, pasi në Kosovë edhe pse nuk ka liri të plotë të lëvizjes, përparime janë bërë:
"Janë ndërmarrë disa hapa për të përmirësuar lirinë e lëvizjes, por kjo nuk është diçka që mund të serviret në pjatë nga policia, KFOR-i, apo agjencitë e tjera të sigurisë, pasi nuk mund të bëhet në asnjë vend të botës," tha zëdhënësi Singh. Ai tha se megjithatë ka shumë faktorë që nevojiten për të ndërtuar një siguri të qëndrueshme që siguron lirinë e lëvizjes. Ndër të tjera, zëdhënësi Singh, tha se nevojitet një kohë që komunitetet e rrezikuara ta kuptojnë përmirësimin e situatës së sigurisë. Megjithatë, Singh tha se mungesa e lirisë së lëvizjes është evidente në një masë të caktuar dhe duhet punuar për ta përmirësuar edhe më:
"Kjo ka të bëjë në mënyrë të barabartë edhe me serbët edhe me shqiptarët, që jetojnë në vend dhe për të gjitha komunitetet, prandaj na mbetet të punojmë ende për të përmirësuar sigurinë," tha zëdhënësi Singh.
Edhe zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arben Qirezi, tha se qeveria është e vetëdijshme për mungesat në këtë plan, mirëpo sipas tij është shënuar përparim i konsiderueshëm. Zoti Qirezi tha se ngjarjet e marsit kanë shkaktuar një çrregullim të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, mirëpo qeveria shpreson se në bazë të punës që është bërë, kjo situatë tashmë është tejkaluar:
"Progresi i arritur pas ngjarjeve të marsit është duke u vënë në baza të qëndrueshme dhe ky progres do të rezultojë në një Kosovë, ku të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë
Në anën tjetër, përfaqësues të asociacionit të gazetarëve profesionistë të Kosovës, thonë se janë të qëndrueshme vërejtjet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me ndërhyrjen në lirinë e shprehjes dhe në shtyp. Naser Miftari, kryetar i këtij asociacioni, tha:
"Asociacioni, edhe pas trazirave te marsit kur Komisioneri i Përkohshëm i Mediave kishte ndërhyrë arbitrarisht duke shkuar te mediat elektronike për të kërkuar prej tyre të cenzurojnë atë që tranmetonin, asociacioni ka reaguar në atë kohë dhe ka konsideruar dhe konsideron edhe sot të papranueshme ndërhyrjen arbitrare, qoftë nga komisioneri, qoftë nga UNMIK-u apo nga institucionet e Kosovës".
Mirëpo, zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Singh tha se UNMIK-u nuk bën shkelje:
"Të gjithë ju besoj se do të pajtoheni se nuk ka ndonjë shkelje të lirisë së shtypit nga UNMIK-u dhe mendoj se të gjithë këtu, janë mjaft të lirë për të njoftuar ashtu siç duan," tha Singh, ndërsa zëdhënësi i qeverisë, Arben Qirezi, tha se institucionet e Kosovës nuk kanë ndikim mbi politikat redaktoriale të mediave:
"Sa u takon institucioneve të Kosovës ato nuk kanë ndikim në politikën redaktoriale të mediave, megjithatë ngjarjet e marsit kanë qenë një sfidë për të gjithë.
Gazetarët po ashtu kanë frikë se miratimi në tërësi i ligjit për Komisionin e Pavarur për Mediat mund të krijojë hapësirë për ndikim të institucioneve mbi mediat edhe në të ardhmen.


XS
SM
MD
LG