Ndërlidhjet

logo-print

KRYEMINISTRI BUÇKOVSKI HAP ZYRËN NDËRLIDHËSE TË MAQEDONISË NË PRISHTINË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski, ka kërkuar sot në Prishtinë, që çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën të zgjidhet para hapjes së bisedimeve për statusin e Kosovës. Këto komente, kryeministri Buçkovski i ka bërë gjatë një vizite që i bëri Kosovës, me ç’rast ai mori pjesë në hapjen e zyrës ndërlidhëse të Maqedonisë në Prishtinë, ku u prit dhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen dhe më pas edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj. Për demarkacionin e kufirit me Maqedoninë para zgjidhjes së statusit të Kosovës, është pajtuar dhe Jessen Petersen, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e caktimit të një përfaqësuesi të posaçëm të Prishtinës për bisedime me Shkupin. Ndërkaq, kryeministri Buçkovski nuk e anashkaloi me këtë rast marrëveshjen Shkup – Beogradin, si bazë për zgjidhjen e këtij kontesti me Kosovën.
Kryeministri Buçkovski tha se bisedimet teknike të Shkupit me UNMIK-un, duhet ta kënaqin edhe Beogradin, në mënyrë që Prishtina, e cila sipas tij do të kishte vetëm rol monitorues, do të vërtetonte marrëveshjen e shkurtit të vitit 2001 ndërmjet Shkupit e Beogradit për kufirin me Kosovën. Njohja e marrëveshjes Beograd – Shkup për demarkacionin e kufirit me Kosovën, sipas Buçkovskit, do të tregonte rolin konstruktiv të qeverisë së Kosovës për krijimin e një stabiliteti të qëndrueshëm në rajon.
Mirëpo, në anën tjetër, Jessen Petersen u angazhua që çështja e kufirit të zgjidhet në bisedimet e drejtpërdrejta Prishtinë – Shkup dhe nuk e përmendi ndonjë rol aktiv të Beogradit në këto bisedime:
“Kjo çështje nuk do të lihet të zgjidhet në kohën kur do të lëvizim në diskutimet rreth statusit, por kjo kërkon dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit dhe në të njëjtën kohë do ta njoftojmë dhe Beogradin në lidhje me diskutimet”, tha Petersen.
Ndërkohë që kryeministri Ramush Haradinaj, është angazhuar që demarkacioni i kufirit të zgjidhet në bisedimet Prishtinë – Shkup, në një proces, pa përmendur afate kohore kur duhet të arrihet kjo:
"Ne si Kosovë kemi gadishmërinë që Prishtina dhe Shkupi të bëjnë demarkacionin në kohën e duhur në një proces, pra në kuadër të zgjidhjes së shumë çështjeve që i kemi të ndërsjella, por ka një vullnet të mirë dhe të gjitha shkojnë drejt një bashkëpunimi edhe më të mirë në mes të Kosovës dhe Maqedonisë”, tha Haradinaj.
Marrëveshja Beograd – Shkup për kufirin, me të cilën Kosovës përgjatë vijës kufitare i merren mbi 2 mijë hektarë tokë, të cilat vihen nën kufijtë e Maqedonisë, ishte hedhur poshtë me një rezolutë nga ana e Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, kjo rezolutë qe anuluar më pas nga UNMIK-u, por sidoqoftë, që atëherë Maqedonia insiston që çështja e demarkacionit të zgjidhet.
Kryeministri Buçkovski ishte paraparë që të takohet dhe me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, por ky i fundit për shkak të obligimeve të shumta nuk ka gjetur kohë të mjaftueshme ta realizojë këtë takim.
Sidoqoftë, hapja e zyrës së Maqedonisë në Prishtinë, është vlerësuar si një hap shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Të gjitha vendet e rajonit përveç Serbisë, tashmë kanë hapur zyrat e tyre ndërlidhëse. Ky hap i qeverisë maqedonase, sipas kryeadministratorit Petersen dhe kryeministrit Haradinaj, mund t’i shpejtojë dhe bisedimet për arritjen e marrëveshjes për tregtinë e lirë ndërmjet Prishtinës e Shkupit, e cila vlerësohet të jetë e një rëndësie të veçantë për dy vendet.



XS
SM
MD
LG