Ndërlidhjet

logo-print

FINANCIMI I PILOT PROJEKTEVE TË DECENTRALIZIMIT NUK DO TË BËHET VETËM NGA BURIME BUXHETORE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Përmes pilot projektit për decentralizimin e komunave në Kosovë, dëshirohet të matet efikasiteti i njësive të reja komunale. Kështu thotë Berim Ramosaj, këshilltar i presidentit të Kosovës për ekonominë. Sipas tij në rast se ky pilot projekt pretendon të bëhet projekt me elemente teorike dhe praktike, atëhere duhet të matet kostoja për realizimin e tij.
"Pikërisht për këtë mbetet si detyrë e atyre që do të udhëheqin këtë projekt, vërtet këtë projekt ta matin me kategori të matshme, të evaluojnë këtë projekt nëse shpenzimet janë më të mëdha sesa përfitimet nga ky proces, apo është e kundërta. Pikërisht për këtë mendoj se është pilot projekt."
Ndërkaq Muhamet Mustafa, ekspert i ekonomisë dhe drejtues i institutit për hulumtime zhvillimore Riinvest, thotë se pilot projekti për decentralizimin nuk do të ndikojë në ekonominë kosovare.
"Unë nuk besoj se ky pilot projekt do të jetë aq ndikues në rrjedhat ekonomike të Kosovës, për arsye se ende dimensioni i tij është në fazën pilot dhe nuk ka ndikim për momentin. Ndikimi do të jetë kur të krijojmë të gjithë sistemin në Kosovë. Për atë duhet të kujdesemi."
Sipas zotit Ramosaj projekti i mirëfilltë për decentralizimin kërkon planifikimin e shpenzimeve, dhe parashikimin sa munden ato t'i ndikojnë rezultatet. Por:
"Nëqoftëse i është hyrë kësaj pune, duke u nisur nga ide krejtësisht të natyrës politike, të motivuara politikisht, atëhere nuk e di si mund të arsyetohet nëqoftëse rezultatet në krahasim me shpenzimet mungojnë."
Ndërsa zoti Mustafa thotë se efikasiteti i këtij pilot projekti mbetet të shihet në të ardhmen.
"Kjo është një fazë eksperimentale që po diskutohet, që ka dimensionin e ofrimit të shërbimeve, por sigurisht e ka edhe dimensionin politik. Domethënë në elaboratin e ardhshëm, duke patur për bazë këtë model dhe modele të tjera, do të nxirren të gjitha përfundimet dhe prej të gjithë këtyre elementëve do të bëhet një zgjidhje optimale, e cila iu përshtatet edhe qytetarëve, edhe forcës së buxhetit, edhe forcës ekonomike të Kosovës."
Duke patur parasysh se idetë për decentralizimin siç thotë zoti Ramosaj, nuk janë krejtësisht kosovare dhe qëllimi i procesit të decentralizimit është plotësimi i një standardi me qëllim që Kosova të avancojë në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare dhe zgjidhjen e statusit, atëhere investimet duhet të jenë të përbashkëta.
" Sigurisht që për këtë projekt nëse është i kushtueshëm, do të ketë donacione, apo grante apo forma të ndryshme të financimit edhe nga organizatat e tjera jobuxhetore. Domethënën nuk do të jetë barrë vetëm e Ministrisë së Pushtetit Lokal apo vetëm e qeverisë, por sigurisht në këtë projekt do të financojnë edhe institucionet e tjera. Qoftë ndërkombëtare si organizata qeveritare, apo si organizata joqeveritare të vendeve të cilat e mbështesin këtë proces të decentralizimit."
Sidoqoftë sipas zotit Mustafa çështja e decentralizimit të Kosovës duhet të dimensionohet në pajtim me mundësitë buxhetore të Kosovës, të cilat nuk janë të mëdha.
"Me rëndësi është që mos të krijohen shpenzime të mëdha administrative, domethënë që këto komuna disi pilot brenda komunave, apo si njësi nënkomunale, të kenë mundësi që qytetarët të shprehin mendimet dhe interesat e veta më afër. Por në realizimin e këtyre shërbimeve që do t'u ofrohen qytetarëve, mos të bëhet një administratë e ngjashme dhe e ngarkuar, siç është administrata komunale, sepse kjo duhet të testohet në këtë fazë dhe më vonë të shihen mundësitë e buxhetit të Kosovës."

XS
SM
MD
LG