Ndërlidhjet

logo-print

28 FAMILJE FAMILJE SERBE KTHEHEN NË FSHATIN KOSH


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në kuadër të procesit të kthimit të personave të zhvendosur, sot në Kosovë janë kthyer 28 familje të përkatësisë kombëtare serbe. Kthimi është realizuar në fshatin Kosh të komunës së Burimit, përkatësisht Istogut. Këto 28 familje, që nga viti 1999 e deri më sot, kanë qenë të strehuara nëpër kampe refugjatësh në Serbi.
Përfaqësuesi i të kthyerve në fshatin Kosh, Zharko Obradoviq, tha se kthimi i sotëm paraqet vetëm fazën e parë të realizimit të projektit, i cili është sponzoruar nga Agjensioni Evropian për Rindërtim dhe Komiteti për Kthim.
“Në këtë fazë, në fshatin Kosh kthehen 28 familje, për aq sa janë ndërtuar shtëpitë, nga gjithsej 110 shtëpi që kishte në vitin 1999”, tha Obradoviq.
Njëri prej të kthyerve, Ratko Tomiq, thotë se fshatin e ka lëshuar më 14 qershor të vitit 1999 dhe që nga atëherë ai nuk ka pasur një vendbanim të përhershëm.
“Isha deri në Kragujevc ku kam qëndruar për disa kohë”, e pastaj, thotë ai, është detyruar t’i ndërrojë tre vendbanime deri në Ivangrad, ku ai rrëfen se i ka vdekur gruaja e tij.
“Tani po shkoj në fshat dhe e kam zemrën plot, pasi në mos tjetër do t’i shoh varrezat e prindërve të mi, të cilëve do t’u çoj lule në varre”, thotë Tomiq.
Të kthyerit janë shprehur sot optimistë se do të gjenden dhe fonde të tjera për ndërtimin e shtëpive të fqinjëve të tjerë, sikurse shpresojnë që të jetojnë në marrëdhënie të mira me shqiptarët.
Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetarët e komunave, u drejtuan një thirrje publike personave të zhvendosur që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Thirrje të tilla publike janë bërë edhe vitin e kaluar nga ana e lidershipit të Kosovës. Kthimi i qëndrueshëm, liria e lëvizjes, si edhe siguria dhe decentralizimi, janë përcaktuar tashmë si standarde me prioritet, në të cilat Kosova duhet të shënojë një përparim të dukshëm deri në mesin e këtij viti.

XS
SM
MD
LG