Ndërlidhjet

logo-print

KARAMANLIS PËRSËRIT PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE SI TË VETMEN RRUGË DREJT STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qëndrimi i Greqisë për Kosovën është përmbushja e standardeve dhe më pas gjetja e një zgjidhjeje, që do të ishte në pajtim me standardet evropiane, ndërkohë që për çështjen e statusit të Kosovës nevojitet bashkëpunim ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, ka deklaruar sot në Prishtinë, kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis. Ai i ka bërë këto deklarata pas takimeve që ka pasur me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeadministratorin ndërkombëtar Jessen Petersen, ndërkohë që ka takuar edhe përfaqësuesin e serbëve Oliver Ivanoviq:
"Qëndrimi ynë për Kosovën është i qartë – në këtë fazë duhet të përqendrohemi në përmbushjen e standardeve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare," tha kryeministri Karamanlis. Sipas tij, me gjithë përparimin që është bërë në përmbushjen e standardeve, ende mbetet punë për t’u bërë sidomos për të siguruar lirinë e lëvizjes për pakicat e sidomos për serbët dhe për të siguruar kthimin e mijëra të zhvendosurve, siç u shpreh Karamanlis.
Ai megjithatë ka mohuar të përgjigjet drejtpërdrejt lidhur me qëndrimin e Greqisë ndaj statusit përfundimtar të Kosovës, por ka thënë se Greqia nuk ka ndonjë plan të vetin për Kosovën:
"Çështja më e madhe tani është sigurimi i stabilitetit dhe prosperitetit, për të siguruar qëndrueshmërinë e një zone të gjerë, për të siguruar një zgjidhje, që do të jetë në pajtim me standardet dhe vlerat evropiane," tha kryeministri grek Karamanlis, sipas të cilit zgjidhja për Kosovën duhet të arrihet përmes bisedimesh paqësore dhe në kuadër të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktit Final të Helsinkit dhe dokumentit të Parisit për nga viti 1990 për Evropën e re. Ai ka thënë se në këtë proces duhet të ketë një bashkëpunim ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, ndërkohë që perspektiva evropiane e Kosovës, ashtu si dhe e vendeve të tjera të rajonit qëndron në rezultatet e samitit të Selanikut, i cili është menduar të jetë përshpejtues i integrimit evropian të rajonit. Në këtë kuadër, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, pasi ka përsëritur qëndrimin e tij që pavarësia do të qetësonte Kosovën dhe këtë pjesë të Evropës, tha se Kosova është e gatshme të jetë pjesë e Bashkimit Evropian:
"Gjithsesi, ne jemi në gjendje t’i marrim të gjitha obligimet ndërkombëtare për mbrojtjen e minoriteteve, për stabilitetin, që të jemi pjesë e Evropës dhe një anëtar simpatik i BE-së dhe strukturave veriatlantike ".
Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, tha se ka përparim në përmbushjen e standardeve:
"Ne po ecim përpara në fushën e përmbushjes së standardeve, ku ka një përparim trimërues, por ende ka shumë punë para nesh për t’u siguruar se do të hyjmë në një shqyrtim të gjithanshëm pozitiv," tha Petersen.
Kryeministri grek ka takuar sot edhe përfaqësuesin e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, i cili tha se pajtohej që pjesëmarrja e serbëve në institucione është e domosdoshme, por sipas tij kjo varet nga disa faktorë:
"Mendoj se ndikimin vendimtar do ta ketë qëndrimi unik i Beogradit, pra një qëndrim unik dhe jo disa qëndrimet të ndryshme nga Beogradi," tha Oliver Ivanoviq, pas takimit me kryeministrin e Greqisë Kostas Karamanlis, vendi i të cilit është anëtar sipas rotacionit i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organ ky që pritet të jetë ndër faktorët kryesorë për vlerësimin teknik dhe politik të përmbushjes së standardeve, si kusht për fillimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG