Ndërlidhjet

logo-print

PËRSE AMERIKANËT S'MUND TA GJEJNË BIN LADENIN


ANDREW F. TULLY

Bota kohë pas kohe përkujtohet se Osama bin Laden, i akuzuari kryesor për orkestrimin e sulmeve teroriste të 11 shtatorit, ende mbetet në arrati.
Katër ditë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ai u lëshoi një mesazh të ftohtë votuesve amerikanë, ndërsa së fundi u raportua se kishte komunikuar me aleatin e vet në Irak.
Për më shumë se 3 vjet, forcat amerikane pa sukses e ndjekin bin Ladenin përgjatë kufirit mes Pakistanit dhe Afganistanit.
Shtrohet pyetja nëse kërkimi i tij do të dështojë, dhe nëse bin Ladeni kapet, do të jetë në dobi apo në disfavor të Shteteve të Bashkuara?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush tha se ai nuk ka iluzione për vështirësitë, me të cilat qeveria përballet në përpjekjet për kapjen e Osama bin Ladenit. Bushi tha se gjetja dhe pengimi i planeve të bin Ladenit janë sfida më e madhe e kohës.
"Së fundi mësuam se Osama bin Laden i ka kërkuar terroristit irakien Abu Musab al-Zarqawi, të formojë një grup për të kryer sulme jashtë Irakut, përfshirë në Shtetet e Bashkuara. Jemi në ndjekje të vazhdueshme të bin Ladenit, i bëjmë presion dhe e detyrojmë të fshihet. Sot edhe Zarqawi e kupton se vazhdimisht e ndjekin trupat e koalicionit dhe të Irakut", tha presidenti Bush.
Por ndjekja e bin Ladenit deri tani nuk ka dhënë fryte. Para dy muajsh, presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf, tha se gjurmët janë ftohur. Këtë javë, gjenerali John Abizaid e paralajmëroi Kongresin amerikan se sukesi nuk është i garantuar.
Ngjashëm mendon edhe Keneth Allard, ish kolonel i kundërzbulimit në ushtrinë amerikane. Sipas tij, ndjekja e bin Ladenit nuk është punë e ushtrisë.
"Forcat ushtarake zakonisht nuk angazhohen në ndjekjen e individëve. Detyra e tyre është ta përmbysin regjimin", thotë Allard, duke shtuar se pjesë e operacioneve të kërkimit, me siguri janë edhe forcat speciale amerikane dhe personeli i CIA-s.
Çështja tjetër, vazhdon Allard, është çfarë do të ndodhë nëse bin Ladeni kapet? Nëse bin Ladeni vritet, shumë myslimanë me siguri do ta nderonin si martir, ndërsa nëse kapet i gjallë, mund të flasë në gjykimin e tij për t'i grumbulluar militantët. Në të dy variantet, sipas Allard, amerikanët mund të presin që ithtarët e bin Ladenit të hakmerren me sulme në Shtetet e Bashkuara.
"Më shumë do të parapëlqeja që Osama të ishte i vdekur dhe martir i mundshëm, se sa të sillet vërdallë siç ndodh tani. Shkaku i simbolikës së fuqishme që paraqet për ithtarët e vet, është se ai ka qenë në gjendje t'i kundërshtojë hapur Shtetet e Bashkuara. Ai qe në gjendje t'i orkestrojë sulmet e 11 shtatorit dhe ia doli të shpëtojë. Simbolika ka të bëjë shumë ", thotë Allard.
Por simbolet kanë vlera të kufizuara, sipas Nathan Brown, specialist për Lindjen e Mesme nga Instituti Carnegi në Uashington. Brown thekson se Shtetet e Bashkuara nuk e luftojnë vetëm Al Kaidën, por edhe shumë grupe të tjera që kanë lidhje me organizatën e bin Ladenit. Tani që ai i ka frymëzuar, ato mund të veprojnë të pavarura, thotë ai.
"Kapja ose vrasja e bin Ladenit, me siguri nuk do t'i jepte fund problemit që ai simbolizon. Ai ia doli t'i bëjë bashkë grupet e veçanta, që të përqëndrohen në sulme kundër caqeve perëndimore, e jo kundër qeverive të tyre. Mbetet e paqartë si i thurri ai gjithë ato grupe në një lëvizje të vetme", pohon Brown.
Në pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara më shumë do të përfitonin nga kapja apo vrasja e bin Ladenit, ai thotë:
"Nxjerrja e bin Ladenit para gjyqit, do të shkaktonte vështirësi, sepse atij do t'i jepej platforma, nga e cila lirisht do t'u drejtohej ithtarëve të vet", thotë Brown.
Sipas tij, kapja e bin Ladenit nuk do të kishte efekt të menjëhershëm, por në planin afatgjatë do t'i dekurajonte myslimanët e rinj të mos bashkohen me grupet militante.


XS
SM
MD
LG