Ndërlidhjet

MË 10 MARS NË BEOGRAD BISEDOHET PËR TË ZHDUKURIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kthimi i kufomave kosovare, të cilat mbahen në Serbi si dhe mbledhja e informacioneve për personat, për të cilët nuk dihet asgjë që nga periudha e luftës e këndej, thuhet të jenë dy pikat kryesore në agjendën e palës së Kosovës, para vazhdimit të dialogut Prishtinë – Beograd që do të mbahet më 10 mars.
Shefi i grupit përfaqësues të Prishtinës në këto bisedime, Ragip Zekolli, thotë se ky dialog nuk mund të konsiderohet si një çështje teknike por humanitare, dhe si i tillë, pala kosovare, sipas tij është e përgatitur dhe do të flasë atje me një zë:
“Në radhë të parë ne e kemi për obligim që t’i njoftojmë familjarët lidhur me fatin e më të dashurve të tyre dhe informatat duhet të sigurohen do si do. Përndryshe, agjenda e takimit është mjaft e ngjeshur dhe është një agjendë, e cila edhe kësaj here po them, se duhet të zbatohet rigorozisht në bazë të rregullave që i ka hartuar Kryqi i Kuq Ndërkombëtar”.
Pas këtij takimi, tha Zekolli, pritet një punë ekspertësh, ku do të formohen nëngrupet punuese, të cilat do të shkëmbejnë informata për familjarët e personave të pagjetur e të zhdukur të luftës.
Në përbërje të grupit kosovar, në cilësinë e ekspertit do të jetë Arsim Gërxhaliu. Ai thotë se kërkesa e parë që mund të parashtrohet më 10 mars në Beograd do të jetë kthimi i kufomave tashmë të identifikuara në Kosovë. Numri i tërësishëm i kufomave nga Kosova që ende mbahen në Serbi, thuhet të jetë 700 sosh:
“Në Beograd i kemi rreth 700 kufoma dhe do të kërkojmë që ato të kthehen pa kusht. Kurse nga mediat është spekuluar mjaft se në Serbi egzistojnë varreza massive, por edhe nga Fondi Humanitar se ka pasur edhe djegie të tyre, do të thotë faktikisht që ne duhet të dimë se cili është fati i atyre 2000 kufomave të tjera që mungojnë”, tha Zekolli.
Në anën tjetër, në cilësinë e vëzhguesit në këto bisedime do të paraqiten asociacionet e familjarëve të personave të pagjetur të luftës. Në këto grupe, hyjnë si asociacionet e familjarëve të shqiptarëve, ashtu edhe ato të komunitetit serb. Kryetari i asociacionit të familjarëve të personave të zhdukur serbë, Simo Spasiq, shpreh pakënaqësinë me rolin e vëzhguesit për këto asociacione:
“Ne do të kërkojmë që shteti ynë të qëndrojë pas kërkesave tona dhe se nuk guxon të ketë bisedime për statusin e Kosovës, pa zgjidhur fatin e personave të zhdukur, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare apo kombëtare”, tha Spasiq.
Bisedimet në Beograd, do të moderohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ndërsa aty do të ketë dhe një përfaqësues të shefit të UNMIK-ut.
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore në Prishtinë, që nga mbarimi i luftës e këndej, numri i personave që familjarët e tyre i kanë paraqitur si të zhdukur ishte 5602 veta. Prej këtij numri, 893 persona janë gjetur të vdekur, trupat e të cilëve u janë dorëzuar familjeve të tyre, ndërkaq 439 prej rasteve të paraqitura janë gjetur të gjallë. Në bazë të këtyre të dhënave, del se numri i përgjithshëm i personave që vazhdojnë të llogariten si të zhdukur mbetet 3192 persona.
Këtu përfshihen 2460 shqiptarë, 529 serbë dhe 203 pjesëtarë të grupeve tjera etnike. Që nga viti 2002, kur edhe ka filluar procesi i kthimit të kufomave nga Serbia, numri i trupave të riatdhesuar ka arritur në 404 veta.


XS
SM
MD
LG