Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI HARADINAJ PËRGËZON MËSUESIT PËR 7 MARSIN


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Punëtorët e arsimit janë dëshmitarë të punës dhe sakricës në kohë të vështira, ka thënë sot kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin e vizitës që i ka bërë shkollës fillore " Hasan Prishtina" në Prishtinë, për nder të shtatë marsit, Ditës së Mësuesit. Kryeministri Haradinaj, i cili shoqërohej nga Ministri i Arsimit Agim Veliu, ka çmuar lart përpjekjet e arsimtarëve për çuarjen përpara të arsimit dhe të shkollimit për brezin e ri.
"Them se në ditën tuaj, në Ditën e Mësuesit, si e njohim ne 7 Marsin, kemi pse krenohemi, sidomos ju, keni pse krenoheni. Jeni vetë dëshmitarë të zhvillimit dhe të rritjes së punës suaj, jo në rrethana dhe në kushte të mira të periudhave që i lamë. Po ashtu është thënë edhe më parë shumë të tjerë, ju e keni mbajtur gjallë dhe e keni sjellë deri këtu", tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se sot dëshironte të konfirmonte gadishmërinë, vullnetin, por edhe besueshmërinë e qeverisë, që tani të ecet më përpara në arsimin në përgjithësi, megjithë sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet Kosova, në mënyrë që të ecim së bashku në rrugën e të ardhmes, u shpreh kryeministri Haradinaj. Ndërkaq Ministri i Arsimit, Agim Veliu, i ka uruar mësuesit për misionin e tyre fisnik.
"Mësuesve arsimtarëve dhe nxënësve ju uroj 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, ditën e shkollës, ju uroj që misionin tuaj fisnik për edukimin e brezit të ri, me qëllim të përgatitjes për shekullin e ri, ta kryeni me sa më shumë sukses dhe të keni përparime në këtë mision fisnik, sepse ngritja e brezit të ri nga ana juaj i garanton Kosovës ardhmëri, i garanton realizimin e synimeve të ardhshme".
Dita e Mësuesit është festë kombëtare e arsimit shqip që festohet në Kosovë dhe në Shqipëri për të kujtuar shkollat e para shqipe. Sipas arsimtarëve kjo festë edhe sivjet e gjen arsimin shqip në pozitë të vështirë materiale, ndërkaq mësimdhënësit universitarë disa herë kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë mësimin në rast se nuk rriten rrogat e tyre.


XS
SM
MD
LG