Ndërlidhjet

BRUKSEL


Bashkimi Evropian dhe NATO mirëpritën gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës. Në një deklaratë të shefit për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana thuhet se bashkëpunimi i plotë me Tribunalin është "domosdoshmëri për secilin".
"E ardhmja e Kosovës është shqetësim i përbashkët i të gjithëve në Kosovë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kosova ka hyrë në një fazë vendimtare dhe viti 2005 është vit i rëndësishëm. Për këtë, llogaris që kosovarët të reagojnë me përgjegjësi" tha Solana, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në përmbushjen e standardeve. Sipas tij, Kosova nuk do të kthehet në situatën e para vitit 1999. Ajo, tha Solana, duhet të ecë përpara drejtë Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Ren përshendeti dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj duke e cilësuar vendimin e tij të guximshëm dhe të urtë.
"Ky është një vendim i guximshëm dhe i urtë. Unë uroj zotin Haradinaj për gatishmërinë e tij që t'i përgjigjet ligjit ndërkombëtar" tha Oli Ren, për të shtuar se ai "inkurajon popullin e Kosovës për të respektuar ftesën e kryeministrit Haradinaj që të ruajë qetësinë".
"Dhuna e çfardo forme nuk do të tolerohet dhe do të ishte e drejtuar kundër interesave të popullit të Kosovës" tha Oli Ren.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ndërkohë tha se bashkëpunimi i Kosovës me Tribunalin e Hagës ishte njëri nga standardet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare.
"Qasja e përgjegjshme e Haradinajt do të jetë sinjal pozitiv në këtë drejtim" Scheffer.
XS
SM
MD
LG