Ndërlidhjet

logo-print

BE, NATO- DORËHEQJA E HARADINAJT AKT I GUXIMSHËM DHE I URTË, FTOJMË KOSOVARËT TË RUAJNË QETËSINË


Augustin Palokaj, Bruksel

NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë përshëndetur sot vendimin e Ramush Haradinajt, që të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës dhe vullnetarisht t'i përgjigjet aktakuzës së Tribunalit të Hagës dhe të dorëzohet në Hagë. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, e kanë quajtur bashkëpunimin me Hagën si një ndër standardet që edhe kosovarët duhet të plotësojnë. Solana i ka bërë thirrje popullit të Kosovës që të veprojë me përgjegjësi, sepse nuk duhet të harrohet sa e rëndësishme është kjo periudhë për Kosovën. Institucionet e Kosovës tani duhet të fokusohen në sfidën më të rëndësishme, me të cilën përballen e kjo është përmbushja e standardeve, sepse pas gjysmës së parë të këtij viti, ka gjasa për hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar, thotë Solana. Bashkimi Evropian sipas fjalëve të Havier Solanës, mbetet i përkushtuar për të siguruar perspektivën evropiane të Kosovës. Kosova nuk kthehet në situatën e para vitit 1999, Kosova ka nevojë të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian, ka porositur Përfaqësuesi i lartë i BE-së Havier Solana.
Ndërkaq në deklaratën e tij Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, po ashtu nënvizon se Kosova ka hyrë në një fazë thelbësore, gjatë së cilës do të vlerësohet përparimi në përmbushjen e standardeve të caktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës është njëri prej këtyre standardeve dhe qasja e përgjegjshme nga zoti Haradinaj dhe populli i Kosovës, do të jenë sinjal pozitiv në këtë drejtim është shprehur Scheffer.
Zyrtarët e NATO-s kanë konfirmuar sot se në Kosovë janë dërguar rreth 1800 ushtarë shtesë, por thonë se kjo ishte e planifikuar që më parë dhe ata ushtarë janë dërguar atje për stërvitje. Sipas zyrtarëve të NATO-s fjala është për kontigjentet nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia, por të njëjtat burime thonë se në rast nevoje, edhe këto trupa do të mund të përdoren nga komandanti i KFOR-it. Ne nuk presim ndonjë trazirë në Kosovë, sepse presim që njerëzit të respektojnë edhe mesazhin e zotit Haradinaj, por për çdo rast NATO-ja është e gatshme që të reagojë nëse e kërkon nevoja, për të ndaluar eskalimin e situatës, thonë zyrtarët në selinë e NATO-s në Bruksel. Tribunali i Hagës ndërkaq sot ka konfirmuar se është ngritur aktakuza kundër zotit Ramush Haradinaj, por ka thënë se kjo aktakuzë ende mbetet e mbyllur prandaj nuk kanë pranuar të japin detaje më konkrete rreth asaj.

XS
SM
MD
LG