Ndërlidhjet

PETERSEN: HARADINAJ DO TË LERË ZBRAZËTIRË TË MADHE, POR PËRGJIGJA E DHUNSHME NUK DO TA NDIHMOJË KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë Krerët e UNMIK-ut dhe të KFOR-it, kanë thënë se dorëheqja e zotit Haradinaj është një akt i pjekurisë politike dhe i gadishmërisë së tij për të sakrifikuar interesin e tij, përballë interesit të Kosovës. Soren Jessen Petersen dhe gjenerali Iv de Kermabon, gjithashtu i kanë bërë thirrje popullatës së Kosovës që të respektojnë vendimin dinjitoz të zotit Ramush Haradinaj.

Me vendimin e tij për dorëheqje dhe për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, Ramush Haradinaj edhe një herë ka vënë interesin e Kosovës mbi interesat e tij personale, ka thënë sot në Prishtinë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, duke ftuar edhe qytetarët e Kosovës, që me gjithë mllefin, të përgjigjen me dinjitetin dhe pjekurinë që e ka manifestuar zoti Ramush Haradinaj. Këto deklarata zoti Petersen i ka bërë në një konferencë për shtyp, i shoqëruar nga komandanti i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Iv de Kermabon.
Zoti Petersen tha se ishte njoftuar lidhur me vendimin e zotit Haradinaj dhe ndihej i pikëlluar që nuk do të mund të punonte më tej me mikun dhe partnerin e ngushtë:
"Unë e respektoj vendimin e tij, por nuk mund ta fsheh faktin se shkuarja e tij do të lërë një zbrazëtirë të madhe. Falë lidershipit dinamik, përkushtimit të fortë dhe ambicjeve të Ramush Haradinajt, Kosova sot është më afër se kurrë më parë, për të arritur aspiratat e saj për zgjidhjen e statusit të ardhshëm," tha zoti Petersen, për të shtuar se me vendimin e tij të sotëm, Ramush Haradinaj edhe një herë e vuri interesin e Kosovës mbi interesin e tij personal. Tani, tha Petersen, është me rëndësi që njerëzit e Kosovës të përgjigjen me të njëjtin dinjitet dhe pjekuri që e ka manifestuar Ramush Haradinaj:
"Unë e kuptoj ndjenjën e tronditjes dhe të mllefit lidhur me këtë zhvillim, por njëkohësisht i bëj thirrje popullit të Kosovës që të shprehë ndjenjat me mjete paqësore, pasi përgjigja e dhunshme nuk do ta ndihmojë Kosovën," tha Petersen, për të shtuar se dhuna do t’u shërbente vetëm interesave të atyre që janë të vendosur për ta bllokuar rrugën e Kosovës përpara, dhuna do të jetë një kthim i madh prapa dhe njëkohësisht do të mposhtte të gjitha të arriturat, e posaçërisht ato që janë bërë gjatë udhëheqjes së zotit Haradinaj:
"Vendimi i shpallur nga zoti Haradinaj për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës, me gjithë bindjen e tij të fortë për pafajësi dhe me gjithë faktin se kjo është e dhimbshme për të, për familjen e tij, për Kosovën dhe shumë miq e partnerë, përfshirë UNMIK-un, është njëkohësisht një shembull i pjekurisë së rritur politike të Kosovës, si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare," tha Petersen. Ai në vazhdim tha se besonte që Ramush Haradinaj, sërish do të jetë në gjendje t’i shërbejë Kosovës, për të ardhmen më të mirë të së cilës ka sakrifikuar dhe kontribuar aq shumë.
Ai ka njoftuar se në pajtim me Kornizë Kushtetuese dhe rregulloret në fuqi, zëvendëskryeministri përkohësisht do ta udhëheqë qeverinë. Ndërkohë zoti Petersen do të punojë me liderët politikë të Kosovës, që të sigurohet që sa më shpejt të jetë e mundur, të ketë një qeveri që të mund të vazhdojë pa vonesa dhe pa pengesa punën, që do ta çojë Kosovën drejt shqyrtimit të standardeve këtë verë dhe në bisedimet për statusin më vonë.
"Unë apeloj te të gjithë liderët politikë që të tregojnë përgjegjësi, duke u bashkuar në përpjekjet e përbashkëta për të tejkaluar vështirësitë aktuale dhe të vazhdojmë për interesat më të larta të Kosovës në këtë koment kyç," tha Petersen.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Kermabon tha:
"Dua të shpreh edhe një herë respektin tim më të lartë ndaj zotit Haradinaj për përkushtimin e tij ndaj të ardhmes së Kosovës, si kryeministër, por sot dua t’i them publikisht se vendimi i tij për dorëheqje është dëshmia më madhështore për vlerat e tij si njeri dhe si lider," tha gjenerali Kermabon, duke kërkuar siç u shpreh, nga secili në Kosovë të respektojë vendimin e zotit Haradinaj.
"Unë e di se kjo ditë është e vështirë për qytetarët e Kosovës, por kërkoj nga të gjithë që të jini të qetë dhe të ndjeshëm, që të mos u përgjigjeni përpjekjeve të mllefosura, por përkundrazi të dëshmoni vullnetin për të jetuar në paqe si shoqëri e pjekur dhe demokratike."
Komandanti i KFOR-it tha se dëshironte ta bënte të qartë se KFOR-i është këtu për të përmbushur misionin e tij, që është sigurimi i ambjentit të qetë dhe të sigurt:
"Do të bëhet gjithçka për të mbajtur vëmendjen në ngjarjet dhe për aftësinë tonë për të reaguar shpejt në pajtim me situatën. Vendosmëria e KFOR-it është e fuqishme dhe ne kemi ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar rendin dhe ligjin," tha gjenerali Kermabon, duke përkujtuar se siguria është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë duhet të punojnë për fëmijët e tyre, prandaj edhe kanë përgjegjësi për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG