Ndërlidhjet

LONDËR


Britania e Madhe mirëpriti dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
"Zoti Haradinaj ka dhënë dorëheqje dhe ka marrë përsipër që të shkojë vullnetarisht në Hagë. E mirëpresim këtë vendim dhe presim nga ai që të mbajë premtimin" tha Denis MacShane, ministër britanik për Evropën. Ai tha se Londra mbështet plotësisht punën e Tribunalit të Hagës, kurse Britania u bëri thirrje të gjithëve në Kosovë që të mos e shfrytëzojnë aktakuzën për përfitimet e tyre.
Ndërkaq, ministri i jashtëm i Gjermanisë Joschka Fischer theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit me Tribunalin e Hagës.
"Ky ishte një hap i menduar mirë dhe shpresoj që të gjithë ta kuptojnë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës" tha Fischer.
Në Uashington, kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel u bëri thirrje të gjithëve në Kosovë që të përmbahen nga veprat të cilat do ta përkeqësonin situatën në këtë kohë kaq të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.
"Besoj në pjekurinë e popullit të Kosovës dhe shpresoj që do ta kuptojë se është në interesin e tij që ta ndjek shembullin e kryeministrit dhe të lejojë vazhdimin e procesit juridik" tha Rupel.
Në komunikatën e qeverisë së Shqipërisë thuhet se "me vendimin për dorëheqje dhe dorëzimin vullnetar në Tribunalin e Hagës kryeministri Ramush Haradinaj ka treguar përgjegjësi, urtësi dhe gatishmëri që gjithçka të jetë transparente".
Qeveria shqiptare ka shprehur bindjen se politikanët dhe populli i Kosovës "do t'i tregojnë botës urtësinë dhe respektimin e parimeve e vlerave shumëetnike dhe demokratike të domosdoshme për ardhmërinë evropiane të vendit".
XS
SM
MD
LG