Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: HARADINAJ DO TË LERË ZBRAZËTIRË TË MADHE, POR PËRGJIGJA E DHUNSHME NUK DO TA NDIHMOJË KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me vendimin e tij për dorëheqje dhe për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, Ramush Haradinaj edhe një herë ka vënë interesin e Kosovës mbi interesat e tij personale, tha sot në Prishtinë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, duke ftuar edhe qytetarët e Kosovës, që me gjithë zemërimin, të përgjigjen me dinjitetin dhe pjekurinë që e ka manifestuar zoti Ramush Haradinaj. Këto deklarata zoti Petersen i ka bërë në një konferencë për shtyp, i shoqëruar nga komandanti i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovës, gjenerali Iv de Kermabon.
Zoti Petersen tha se ishte njoftuar lidhur me vendimin e zotit Haradinaj dhe ndihej i pikëlluar që nuk do të mund të punonte më tej me mikun dhe partnerin e ngushtë:
"Unë e respektoj vendimin e tij, por nuk mund ta fsheh faktin se shkuarja e tij do të lërë një zbrazëtirë të madhe. Falë lidershipit dinamik, përkushtimit të fortë dhe ambicjeve të Ramush Haradinajt, Kosova sot është më afër se kurrë më parë, për të arritur aspiratat e saj për zgjidhjen e statusit të ardhshëm," tha zoti Petersen, për të shtuar se e kuptonte ndjenjën e tronditjes dhe të mllefit lidhur me ngritjen e aktakuzës kundër zotit Haradinaj, por njëkohësisht i bëri thirrje popullit të Kosovës që të shprehë ndjenjat me mjete paqësore, pasi përgjigja e dhunshme nuk do ta ndihmojë Kosovën dhe do t’u shërbente vetëm interesave të atyre, që janë të vendosur për ta bllokuar rrugën e Kosovës përpara:
"Vendimi i shpallur nga zoti Haradinaj për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës, me gjithë bindjen e tij të fortë për pafajësi dhe me gjithë faktin se kjo është e dhimbshme për të, për familjen e tij, për Kosovën dhe shumë miq e partnerë, përfshirë UNMIK-un, është njëkohësisht një shembull i pjekurisë së rritur politike të Kosovë, si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare," tha Petersen. Ai në vazhdim tha se besonte që Ramush Haradinaj sërish do të jetë në gjendje t’i shërbejë Kosovës, për të ardhmen më të mirë të së cilës ka sakrifikuar dhe kontribuar aq shumë.
Ai ka njoftuar se në pajtim me Kornizë Kushtetuese dhe rregulloret në fuqi, zëvendëskryeministri përkohësisht do ta udhëheqë qeverinë. Ndërkohë zoti Petersen do të punojë me liderët politikë të Kosovës, në mënyrë që sa më shpejt që të jetë e mundur të ketë një qeveri, që të mund të vazhdojë pa vonesa dhe pa pengesa punën, e cila do ta çojë Kosovën drejt shqyrtimit të standardeve këtë verë dhe në bisedimet për statusin më vonë.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Kermabon tha:
"Dua të shpreh edhe një herë respektin tim më të lartë ndaj zotit Haradinaj për përkushtimin e tij ndaj të ardhmes së Kosovës, si kryeministër, por sot dua t’i them publikisht se vendimi i tij për dorëheqje është dëshmia më madhështore për vlerat e tij si njeri dhe si lider," tha gjenerali Kermabon, duke kërkuar, siç u shpreh, nga secili në Kosovë, që të respektojë vendimin e zotit Haradinaj. Unë e di se kjo ditë është e vështirë për qytetarët e Kosovës, por kërkoj nga të gjithë që të jini të qetë dhe të ndjeshëm, që të mos u përgjigjeni përpjekjeve të mllefosura, por përkundrazi të dëshmoni vullnetin për të jetuar në paqe si shoqëri e pjekur dhe demokratike .
Komandanti i KFOR-it tha se dëshironte ta bënte të qartë se KFOR-i është këtu për të përmbushur misionin e tij, që është sigurimi i ambjentit të qetë dhe të sigurt:
"Do të bëhet gjithçka do të bëhet për të mbajtur vëmendjen në ngjarjet dhe për aftësinë tonë për të reaguar shpejt në pajtim me situatën. Vendosmëria e KFOR-it është e fuqishme dhe ne kemi ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar rendin dhe ligjin," tha gjenerali Kermabon duke përkujtuar se siguria është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë duhet të punojnë për fëmijët e tyre, prandaj edhe kanë përgjegjësi për ta ardhmen.
Ndërsa shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, në një komunikatë të lëshuar sot pasdite ka falënderuar, siç thuhet, ish-kryeministrin Haradinaj për deklaratën e tij ku ka shpallur dorëheqjen e tij dhe qëllimin për të udhëtuar në Hagë. "Zoti Haradinaj tani do të ketë rastin që të mbrojë veten para botës dhe unë e di që ai është përgatitur mirë për të bërë këtë gjë," ka thënë Goldberg, duke shprehur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Tribunalin e Hagës dhe duke ftuar të gjitha palët në Kosovë dhe në rajon që të bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës, pasi kjo është një provë e përkushtimit të shoqërisë ndaj sundimit të ligjit.
Në komunikatën e shefit të zyrës amerikane Philip Goldberg, thuhet se politika e SHBA-ve ndaj Kosovës mbetet e pandryshuar dhe Shtetet e Bashkuara po angazhohen për vlerësimin e standardeve në mesin e vitit 2005, dhe, nëse ky vlerësim është pozitiv, do të fillohen bisedimet për statusin përfundimtar.
Ndërkaq, Shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Pascal Fieschi, ka thënë se e respektonte vendimin e kryeministrit Haradinaj, sepse është në pajtim me sundimin e ligjit. "Mua më vjen keq për largimin e tij për shkak të energjisë që ai ka treguar gjatë punës, në veçanti për standardet dhe mënyra e bashkëpunimit që ai ka promovuar ka qenë mbresëlënëse dhe produktive," ka thënë ambasadori Fieschi, duke shfaqur shpresën se Kosova, Qeveria dhe populli i saj do të mund të tejkalojnë këtë test të vënë para tyre, të tregojnë pjekuri, përmbahen dhe të tregojnë përgjegjësi.

XS
SM
MD
LG