Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI I KOSOVËS RAMUSH HARADINAJ DHA DORËHEQJEN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar sot se Tribunali Ndërkombëtar ka ngritur aktakuzën kundër tij dhe se ai do të udhëtojë nesër për në Hagë për t’u përballur me këtë aktakuzë. Si rrjedhojë e kësaj aktakuze, Haradinaj ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Akuza, atij i është dorëzuar në ditën kur qeveria e Kosovës po shënonte dhe bënte balansin e punës 100 ditëshe, e në të cilën po merrte pjesë dhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Duke komentuar akuzën ndaj tij, Haradinaj tha se ndihet i pafajshëm dhe këtë do të dëshmojë edhe para Tribunalit të Hagës. Haradinaj tha se procesi në Kosovë dhe se pavarësimi i saj është çështja kryesore që duhet të angazhohet qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera:
“Unë nuk mendoj se ky është një kthim prapa në Kosovë, është një ndërhyrje, është një pazar politik për këtë, por ne jemi të vendosur që të bëjmë shtetin dhe jam i bindur se askush nuk mund ta ndalë rrugën drejt pavarësisë. Besoj në njerëzit që do ta vazhdojnë punën dhe besoj në popullin e Kosovës”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se dyshonte që kjo ndërhyrje politike, siç e quajti ai, paraqet dhe një lëkundje të parimeve të drejtësisë ndërkombëtare. Por sidoqoftë, sakrifica për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kurrë nuk është e mjaftueshme, tha ai:
“Ka një lëkundje të parimeve të drejtësisë nga shumë aspekte, por ajo është shumë pak e vlefshme, në krahasim me atë që do të vazhdojmë të punojmë në Kosovë. Do të kemi shtet. Shumë nga njerëzit me të cilët kam qenë nuk janë fare në jetë dhe ata kishin pasur dëshirë ta kishin fatin tim, qoftë duke qenë në “pushim” qoftë duke qenë në punë. Them edhe njëherë se do të vazhdojmë fuqishëm në këtë rrugë, do të vazhdojmë në rrugën e pavarësisë. Bashkësia ndërkombëtare do të bënte mirë që të nxitohej për ta njohur pavarësinë e Kosovës, meqënëse është marrë një kahje e duhur, është bërë një punë e mirë, është vërtetuar orientimi demokratik i shoqërisë së Kosovës, një tolerancë ndëretnike po ashtu dhe mendoj se do të duhej të përshpejtohej procesi i pavarësisë së Kosovës. Në rast se e kam një kërkesë për bashkësinë ndërkombëtare, është që, përshpejtojeni njohjen e pavarësisë së Kosovës, pra bëheni në kohë”, tha Haradinaj.
Ndërkaq në një deklaratë me shkrim drejtuar qytetarëve, Ramush Haradinaj, shpreh bindjen e tij për pafajësi. Bashkësia ndërkombëtare ka bërë një gabim të madh kur e ka krijuar një tribunal, i cili i trajton luftëtarët e lirisë njësoj me agresorët që shkatërruan popuj të tërë dhe e kthyen rajonin në gërmadha, thuhet në deklaratën e Haradinajt. Dëshiroj të besoj se ka qenë një gabim pa dashje dhe dëshiroj të besoj se ata nuk kanë dashur që kjo të ndodhë, është deklaruar Haradinaj. Aktakuza ndaj tij, sipas Haradinajt, buron nga gënjeshtrat e përgatitura në Beograd dhe nga pazarllëqet që disa i kanë bërë me qeverinë e Serbisë për t’i ekstraduar kriminelët serbë. “Ky është një gabim i bërë nga disa njerëz që nuk e dinë fare se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe që nuk duan t’ia dinë se çfarë do të ndodhë këtu në të ardhmen”, vazhdon më tutje deklarata, në të cilën Haradinaj numëron një varg pasojash të luftës së fundit në Kosovë.
“Ne e kemi kaluar një rrugë të gjatë që nga viti 1999 dhe tani jemi afër arritjes së pavarësisë”, thotë Haradinaj, duke shtuar se kjo do të jetë arritja më e madhe për Kosovën dhe në të njëjtën kohë edhe fillimi i rrugëtimit drejt Unionit Europian dhe NATO-s, thuhet në deklaratën e Haradinajt, i cili e ka kuptuar këtë aktakuzë si fyerje, të padrejtë dhe ndërhyrje në punën e tij. “Unë jam një njeri i Kosovës dhe me dëshirë sakrifikohem për vendin tim”, thuhet në deklaratë.
Haradinaj ka propozuar nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që është njëkohësisht dhe Ministër i Ambjentit dhe Planifikimit Hapësinor, Bajram Kosumin, për kryeministër të ardhshëm. Deri në procedurën e votimit të Kosumit për kryeministër, këtë post do ta ushtrojë zëvendës kryeministri Adem Salihaj, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike.

XS
SM
MD
LG