Ndërlidhjet

RUGOVA: TË RUHET STABILITETI DHE SIGURIA NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë Liderët e institucioneve dhe të partive politike në Kosovë kanë reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës kundër kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dorëheqjes nga posti të këtij të fundit. Por, ata kanë deklaruar se pavarësisht nga kjo, në Kosovë nuk do të lejohet vakuumi institucional dhe kanë kërkuar nga qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë, për të kontribuar kështu në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe të partive kryesore politike, kanë shprehur keqardhjen për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, por në të njëjtën kohë kanë vlerësuar lart gadishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës.
Presidenti Ibrahim Rugova, e ka vlerësuar qëndrimin e Haradinajt si një gjest të madh patriotik dhe ka theksuar se në Kosovë nuk do të lejohet vakuumi institucional. Presidenti Rugova kërkoi që të ruhet siguria dhe stabiliteti në Kosovë.
“Kërkoj nga të gjithë qytetarët dhe bëj apel, që të ruajnë qetësinë të jenë të kujdeshëm dhe ta respektojnë vendimin e kryeministrit të Kosovës, të institucioneve qendrore të Kosovës, po ashtu edhe të UNMIK-ut dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare”, tha Rugova, duke shtuar se koalicioni qeverisës, do të vazhdojë punën në bazë të Kornizës Kushetetuese dhe së shpejti ai si president, në bashkëpunim me UNMIK-un, do të nominojë kryeministrin e ri.
Ndërkaq, kryeparlamentari Nexhat Daci, ngritjen e aktakuzës kundër kryeministrit Haradinaj e ka quajtur ndërhyrje në procesin politik në Kosovë.
Në një komunikatë për media, Daci shpreh bindjen se Haradinaj do të shpallet i pafajshëm dhe do të vazhdojë punën si kryeministër.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaci, duke shprehur keqardhje për ngritjen e aktakuzës kundër Haradinajt, ka kërkuar nga institucionet dhe qytetarët që ta tejkalojnë, siç ka thënë ai këtë situatë të rëndë me pjekuri.
“Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Kosovës, që të kalojnë këto ditë dhe këto rrethana me unitet, ftojmë edhe institucionet dhe partitë politike, që të arrijnë konsensusin e duhur për veprimet e mëtejshme, që veprimet tona të pjekura të rritet serioziteti ynë”.
Bajram Kosumi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe i nominuari për kryeministër nga ana e Ramush Haradinajt, duke e vlerësuar lart figurën e Haradinajt si në kohën e luftës, ashtu edhe në paqe, ka thënë se koalicioni i tashëm qeverisës do të duhej të vazhdonte rrugën për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Qeveria do të vazhdojë punën dhe sa më shpejt që të jetë e mundur do të zgjidhet kryeministri i ri i Kosovës. Do të mundohemi, që rrugën e nisur shumë më herët e të ngritur shumë lart nga zoti Haradinaj ta përfundojmë me sukses”.
Kryetari i Partisë politike opozitare Ora, Veton Surroi, ka kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që Haradinajt t’i mundësohet mbrojtja në liri:
“Kam kërkuar nga komandanti i KFOR-it dhe nga zoti Petersen dhe institucionet e Kosovës, që në mënyrë të përbashkët të japin garanca për zotin Haradinaj, në mënyrë që të mbrohet në liri”, tha Surroi, duke shtuar se është evidente se tani ka krizë qeveritare, por sipas tij duhet që brenda një afati të shkurtër të arrihet konsensus, që do të siguronte një qeverisje efikase në Kosovë.
Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës gjenerali Agim Çeku, e ka quajtur ngritjen e aktakuzës një fyerje që i bëhet Kosovës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjes Haradinaj. Gjenerali Çeku tha se pret nga Tribunali i Hagës që t’ia mundësojë Haradinajt mbrojtjen në liri dhe verifikimin sa më të shpejtë të pafajësisë së tij.
TMK-ja përshëndeti vendimin e kryeministrit Haradinaj për t’u dorëzuar vullnetarisht dhe kërkoi, që qytetarët e Kosovës ta respektojnë këtë vendim dhe ta ruajnë gjakftohtësinë.


XS
SM
MD
LG