Ndërlidhjet

SHTYPI PERËNDIMOR PËR DORËHEQJEN E RAMUSH HARADINAJT


Vendimi i zotit Ramush Haradinaj për t'u larguar dhe për t'u përballur me akuzat për krime të luftës erdhi si shok në Kosovë, ku kryeministri vazhdon të mbetet si hero, shkruan New York Times. Haradinaj, zyrtari më i lartë i Kosovës i akuzuar deri më tash, tha se akuzat kundër tij janë bazuar në "gënjeshtrat e Serbisë". Sivjet Kosova shpreson t'i fillojë bisedimet për pavarësinë, të cilën e mbështet shumica e popullatës. Duket se njëri çmim që duhej paguar ishte dorëzimi i Haradinajt. "Kosova po hyn në një fazë kyçe, në të cilën do të vlerësohet progresi i saj në plotësimin e standardeve. Bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës është një nga këto standarde", e citon New York Times sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer.
International Herald Tribune shkruan se janë të rralla momentet në histori kur fati i kombeve varet nga Tribunali ndërkombëtar. Ky është rasti me Ballkanin ku Tribunali për Krime të Luftës në ish Jugosllavi qëndron ndërmjet popujve ballkanikë, të kaluarës dhe të ardhmes së tyre.
Financial Times shkruan se NATO i përforcoi trupat e saj në Kosovë me 600 ushtarë gjermanë dhe 500 britanikë, vetëm 48 orë para dorëzimit të aktakuzës, për të parandaluar ndonjë rrezik të mundshëm të ekstremistëve. Gazeta më tej i citon diplomatët e perëndimit, të cilët kanë thënë se Kosova po shkon drejt negociatave nga fundi i vitit për pavarësimin e mundshëm të saj nga Serbia. Përgjigja e zotit Haradinaj ndaj aktakuzës përcakton standarde të larta edhe për liderët tjerë të rajonit, shkruan mes tjerash Financial Times.
Wall Street Journal shkruan se pas Fatmir Limajt, Haradinaj është zyrtari i dytë i lartë nga Kosova, i cili akuzohet nga Tribunali. Por statusi i heroit që ka zoti Haradinaj dhe pozita e kryeministrit, e bën arrestimin e tij shumë më të rëndësishëm.
Haradinaj nga shumë njerëz është parë si kompetenet dhe i aftë për të ndihmuar në çuarjen e Kosovës drejt pavarësisë, që është qëllimi i shumicës shqiptare, shkruan Washington Post duke përkujtuar se Kombet e Bashkuara dhe vendet e Perëndimit sivjet pritet ta shqyrtojnë statusin e Kosovës, e cila ende është nën protektoratin ndërkombëtar.
"S'mund ta fsheh faktin se largimi i tij do të krijojë zbrazëti të madhe. Falë lidershipit dinamik të Ramush Haradinajt, përkushtimit të tij të fuqishëm dhe vizionit, Kosova sot është më afër se kurdoherë më parë për realizimin e aspiratave të saj në zgjidhjen e statusit final", e transmeton Washington Post shefin e UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen.
Gazeta britanike Gardian shkruan se Haradinaj, viteve të fundit u bë i njohur si politikan i respektuar dhe efektiv. Ministri britanik për Evropën, Denis McShane e ka vlerësuar "shumë guximtar" vendimin e Haradinajt, për dallim nga të dyshuarit tjerë nga Ballkani të cilët janë arratisur me vite. Vendimi i Haradinajt që të mos fshihet, do t'ju ndihmojë të gjithë kosovarëve që të mbërrijnë atje ku duan të jenë", ka deklaruar për Gardian Denis McShane.
XS
SM
MD
LG