Ndërlidhjet

GJENDJA E SIGURISË NË KOSOVË ËSHTË E QETË


Albana Isufi, Prishtinë Zyrtarët e UNMIK-ut dhe të KFOR-it vlerësojnë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se nuk ka indikacione për tensionimin e saj. Ndërkohë në Decan, mijëra qytetarë kanë protestuar në mënyrë të qetë kundër ngritjes së aktpadisë ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga Tribunali i Hagës.

Situata e sigurisë në tërë Kosovën ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident, kanë vlerësuar zyrtarët e UNMIK-ut dhe të KFOR-it.
“Situata e sigurisë në tërë Kosovën po vazhdon të jetë e qetë dhe ne po vazhdojmë të monitorojmë atë”, tha zëdhënësi për polici dhe drejtësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, duke shtuar se nuk ka të dhëna për përkeqësim të situatës.
“Ne nuk presim që të ketë dhunë, pasi sinjalet janë shumë pozitive, duke filluar nga vetë zoti Haradinaj, i cili tregoi një maturi politike duke dhënë dorëheqje dhe duke udhëtuar vullnetarisht në Hagë, si dhe nga deklaratat e tjera të liderëve politikë të bëra dje, që kërkuan nga qytetarët, që të jenë të qetë dhe t’u kontribuojnë përmbushjes së standardeve, që do t’i hapin rrugën për hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar”, tha Neeraj Singh.
Nga ana tjetër shefi për informim i KFOR-it Yves Kermovant thotë se KFOR-i është në gjendje gadishmërie për të reaguar në rast të përshkallëzimit të situatës.
“Nuk kemi të dhëna për dhunë, ose trazira të mundshme, por KFOR-i është gjithmonë i gatshëm për të reaguar dhe thjesht ne jemi më të vëmendshëm këto ditë," tha Kermovant, duke shtuar se këto dy ditë kanë qenë shumë të qeta dhe se presin që edhe ditët e ardhshme të jenë të njëjta:
“Vlerësojmë se qytetarët e Kosovës këto ditë demonstruan një pjekuri të mirë”, tha Kermovant.
Ndërkohë, në Deçan sot në mesditë është mbajtur një protestë e qetë kundër ngritjes së aktpadisë ndaj Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hagës.
”Mund ta konfirmoj se një demonstratë e qetë është mbajtur në Deçan këtë pasdite. Numri i pjesëmarrësve ka qenë rreth 5000, protesta kishte lejen e policisë. Protestuesit janë shpërndarë të qetë, ndërkohë që nuk ka informacione nëse protesta të ngjashme janë mbajtur në vende të tjera të Kosovës”, tha Neeraj Singh.
Mbajtjen e protestës e pohoi edhe shefi i ekzekutiv i Deçanit Halil Tolaj:
“Diku rreth orës 12:30 në mënyrë spontane, por normalisht të pritur, se ngjarja që ka ndodhur me zotin kryeministër për ne ka qenë më tronditëse se për çdokënd, dhe normalisht që qytetarë të të gjitha gjinive dhe moshave iu kanë përgjigjur këtij spontanitetit dhe kanë organizuar një protestë, që ka qenë shumë dinjitoze dhe e qetë”, tha Tolaj duke shtuar se tani për tani Deçani i është kthyer normalitetit dhe gjendja e sigurisë është e qetë.
Ndërkohë, KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut kanë shtuar masat e sigurisë në tërë Kosovën.
600 trupat gjermane dhe 500 britanike të ardhura dy-tre ditët e kaluara po vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, duke rritur numrin e përgjithshëm të kontigjentit të KFOR-it në më shumë se 18 mijë ushtarë.


XS
SM
MD
LG