Ndërlidhjet

NË PRISHTINË- MENDIME TË NDRYSHME LIDHUR ME TË ARDHMEN E KOALICIONIT QEVERISËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dy partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë të vendosura që të vazhdojnë qeverisjen e Kosovës deri në fund të mandatit, edhe pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, që erdhi si rrjedhojë e aktakuzës së ngritur ndaj tij nga ana e Tribunalit të Hagës. Zyrtarët e LDK-së si edhe ata të AAK-së, besojnë se në Kosovë nuk ka dhe nuk do të ketë krizë qeveritare, e as vakum institucional, prandaj sipas tyre, qeverisja në Kosovë do të vazhdojë pa ndryshime. Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike, Lulëzim Zeneli, thotë se LDK-ja do t’i japë mbështetje kandidaturës së nënkryetarit të AAK-së, Bajram Kosumi, për mandatarin e ri të qeverisë së Kosovës:
“Së bashku me partnerët e koalicionit, konform normave kushtetuese do të punojmë në kontinuitet për mbylljen e këtij procesi sa i përket zgjedhjes së kryeministrit të ri
dhe në këtë plan qeveria aktuale do të vazhdojë punën në formën, që të mos lejojë vakum institucional”, tha Zeneli.
Ndërkohë që edhe nënkryetari i AAK-së, Bujar Dugolli, nuk sheh ndonjë arsye për vënien në rrezik të koalicionit LDK- AAK. Ai thotë se Ramush Haradinaj, i ka lënë porositë e qarta si qeverisë ashtu edhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, se koalicioni duhet të vazhdojë dhe se në Kosovë nuk duhet lejuar vakum institucional e as qeverisës:
“Kryeministri Haradinaj nuk na ka lënë shumë mëdyshje dhe ai i ka zgjedhur të gjitha rastet duke përfshirë edhe vazhdimin e koalicionit. Ne i kemi bërë dhe jemi të obliguar, si zyrtarë të partisë, që ta respektojmë vendimin e kryeministrit”, theksoi Dugolli.
Koalicioni qeverisës do të drejtohet sërish nga AAK-ja. Zyrtari i saj Bujar Dugolli, thotë se nuk sheh dilema për sa i përket brengës kryesore që shtrohet në analiza të ndryshme se sa kjo qeveri pa Haradinajn, do të ishte garancë për siguri në Kosovë:
“Unë mendoj që nuk ka dëshmi më të mirë se sa qetësia që ka mbretëruar këto ditë, përkundrazi mllefit të qytetarëve për vendimin e padrejtë nga ana e Tribunalit të Hagës’, pohoi Dugolli.
Në anën tjetër subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, nuk e konteston legjitimitetin e kësaj qeverie, mirëpo, sipas zyrtarit të saj, Enver Hoxhaj, në Kosovë nuk ka një krizë qeveritare, por ka një vakum institucional, prandaj sipas tij duke pasur parasysh interesin e Kosovës, kësaj radhe partitë politike duhet të ulen së bashku dhe të arrijnë një marrëveshje për një koalicion gjithëpërfshirës:
“Ne mendojmë se që të gjitha partitë politike do të duhej të ulen dhe do të duhej vërtetë kësaj here ta ndërtojnë një politikë afatgjatë se cili do të ishte interesi aktual i Kosovës dhe interesi aktual i Kosovës është të ketë stabilitet politik, të ketë parashikueshmëri politike dhe të ketë qeverisje të mirë. Të treja këto mund të plotësohen vetëm në bazë të një koalicioni të ri qeveritar, mirëpo këto janë çështje që duhet të adresohen brenda për brenda parlamentit të Kosovës”, tha Hoxhaj.
Kërkesën për një marrëveshje ndërmjet partive kryesore politike për një qeveri të shpëtimit kombëtar, e ka shtruar tashmë dhe subjekti i dytë opozitar, Ora e Veton Surroit.


XS
SM
MD
LG