Ndërlidhjet

NË KOSOVË SITUATA VAZHDON TË JETË E QETË


Albana Isufi, Prishtinë

Situata e sigurisë në tërë Kosovën po vazhdon të jetë e qetë dhe stabile, edhe pse forca të shtuara të policisë së UNMIK-ut dhe të KFOR-it vërehen në tërë Kosovën.
Mijëra qytetarë të Deçanit edhe sot kanë protestuar kundër aktpadisë së ngritur ndaj Ramush Haradinajt, por sipas zyrtarëve të policisë, protesta ishte e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident.
“Në Deçan janë zhvilluar protesta të qeta, me më shumë se 4 mijë pjesëmarrës. Protesta ishte e qetë sikurse dje dhe nuk është raportuar asnjë incident”, tha zëdhënësi për polici dhe drejtësi i UNMIK-ut Neeraj Singh.
600 trupat shtesë nga Gjermania dhe 500 britanikët vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, duke rritur numrin e kontigjentit të KFOR-it në mbi 18 mijë ushtarë.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, thotë se policia dhe KFOR-i janë të gatshëm që të reagojnë në rast të përshkallëzimit të situatës. Megjithatë ai thotë se deri tani nuk ka indikacione për këtë përshkallëzim. “Nuk ka asnjë arsye që të besohet se do të ketë trazira, të gjithë treguesit janë shumë pozitivë,” ka përsëritur zëdhënësi Singh, duke shtuar se sinjalet nga të gjitha partitë politike janë pozitive.
“Të gjithë po punojnë sipas agjendës që zoti Haradinaj ka lënë pas dhe ka dëshiruar nga ta që të punojnë në këtë vijë, dhe kjo agjendë është që të lëvizet më shpejt drejt zbatimit të standardeve për të lehtësuar kështu hapjen e rrugës për bisedimet për statusin final të Kosovës”, tha Singh.
Ndërkohë punonjësit e qeverisë së Kosovës kanë vazhduar sot punën të veshur me nga një fanellë me fotografinë e Ramush Haradinajt në të dhe me slloganin “Kryeministri ynë duhet të punojë këtu”.
Florentina Baraku nga zyra e kryeministrisë thotë se do të vazhdojnë të punojnë, ashtu siç ka kërkuar zoti Haradinaj.
“Vazhdojmë të punojmë se kjo ishte porosia e tij”, thotë Florentina Baraku.
Të njëjtët posterë janë vendosur edhe në hyrje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, si dhe në të gjitha zyrat e qeverisë së Kosovës.


XS
SM
MD
LG