Ndërlidhjet

PETERSEN: UNMIK-U DO TË OFROJË GARANCI PËR MBROJTJEN NË LIRI TË RAMUSH HARADINAJT, NËSE NGA NE DO TË KËRKOHET


Rrahman Paçarizi, Deçan

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, ka premtuar se UNMIK-u do të ofrojë garanci për mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt, nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga UNMIK-u. Këto deklarata zoti Petersen i bëri sot në Deçan, pas takimeve me strukturat komunale të Deçanit, që është vendlindja e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili më 8 mars dha dorëheqjen nga ky post, si pasojë e ngritjes së një aktpadie ndaj tij nga Tribunali i Hagës.
"Nëse na kërkohen garanci për lirim të kushtëzuar për t'u kthyer në Kosovë, ne do të japim ato garanci", tha Petersen. Ai ka thënë se e dinte se këto janë ditë të vështira për Kosovën, e sidomos për Deçanin, prandaj kishte ardhur sot këtu për t'u solidarizuar me ta, duke konstatuar se shkuarja e zotit Haradinaj kishte krijuar një zbrazëtirë.
"Dorëheqja e tij la zbrazëtirë, por njëkohësisht dorëheqja dinjitoze dhe e disiplinuar e tij dhe e qytetarëve, është një hap gjigand përpara rreth bisedimeve për statusin në shtator të këtij viti," tha Petersen. Ai ka konstatuar se në Kosovë nuk ka krizë qeveritare, dhe se qeveria po zbaton porosinë e zotit Haradinaj. "Ndjekja e porosive dhe shembullit të zotit Haradinaj, do të çojë drejt përmbushjes së standardeve dhe statusit final, me qëllimin kryesor për të cilin Haradinaj ka sakrifikuar aq shumë," tha Petersen. Ai tha se shtyrja e proceseve do të ishte një tradhëti ndaj porosive të zotit Haradinaj. Vizitës së zotit Petersen i është bashkuar edhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Kosovës Adem Salihaj, i cili tha se qeveria dhe institucionet do të ofrojnë garanci për mbrojtjen në liri të zotit Haradinaj.
" Unë dëshiroj t'i falenderoj jashtëzakonisht shumë qytetarët e Deçanit, kryetarin e komunës së Deçanit, që është një bashkëluftëtar i ngushtë i zotit Haradinaj, për qëndrimin shumë dinjitoz dhe përkrahës. Edhe ditëve të kaluara dhe sot për institucionet e Kosovës dhe për aktin sublim të sakrificës së zotit Haradinaj."
Ndërkaq kryetari i komunës së Deçanit, Ibrahim Selmanaj tha se qytetarët dhe pushteti komunal i Deçanit, do t'i mbeten besnike qëndrimit të kryeministrit Haradinaj, për të çuar proceset përpara.
"Kemi garancinë nga vetë qytetarët se do t'i përmbahen qëndrimit të kryeministrit, jo se është e lehtë në këtë kohë, pasi të gjithë qytetarët e ndiejnë një peshë dhe trishtim, por se është e nevojshme dhe e domosdoshme për fatin e Kosovës, për fatin e qytetarëve të Kosovës, për zhvillimet në rajon dhe së fundi edhe për vetë fatin e kryeministrit," tha zoti Selmanaj.
Shefi i UNMIK-ut Petersen, i cili fillimisht ka vizituar Pejën, pas Deçanit, ka shkuar në manastirin Orthodoks të Deçanit, dhe më pas do të vizitojë edhe Gjakovën edhe Suharekën. Ndryshe gjendja në qytezën e Deçanit, ku dy ditët e shkuara ka patur protesta, sot ishte krejtësisht e qetë, por vërehej prania e shtuar e policisë dhe e forcave paqeruajtëse.


XS
SM
MD
LG