Ndërlidhjet

ADMIRALI MULLEN: SITUATA E SIGURISË NË KOSOVË E QETË DHE E SIGURTË


Albana Isufi, Prishtinë

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shkuarja e tij në Hagë, sipas komandantit të forcave amerikane në Evropë, admiralit Michael Mullen, nuk e ka përkeqësuar situatën dhe trupat e KFOR-it janë të gatshme, që të ofrojnë një ambjent të qetë e të sigurt.
“Situata e sigurisë është shumë e qetë, besoj se kemi një lloj force të sigurisë në terren, që na mundëson të lëvizim përpara. Në të vërtetë mendoj se situata e sigurisë po përmirësohet, sepse shumë njerëz nga vendet të ndryshme janë të përkushtuar për një ambjent të qetë dhe të sigurt, ashtu që e ardhmja e Kosovës të mund të përcaktohet nga ata që janë të përfshirë në këtë”, tha admirali Mullen, pas një vizite, që i bëri Shtabit të Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Michael Mullen, është zotuar se do ta përkrahë TMK-në, por edhe popullin e Kosovës.
“Pozita ime si komandant i NATO-s ka bërë që të kaloj kohë shumë të gjatë në Kosovë dhe të fokusohem në Kosovë dhe dua të zotohem për përkrahjen time, jo vetëm për atë që po e bën gjenerali Çeku dhe njerëzit e Kosovës, por dhe për të ardhmen e saj, që është një e ardhme më e mirë,” tha admirali Mullen, duke lavdëruar situatën e qetë që po mbretëron në Kosovë, në kohën që ai e ka quajtur vit shumë të rëndësishëm për Kosovën.
Në anën tjetër komandanti i TMK-së gjenerali Agim Çeku ka vlerësuar vizitën e parë të një komandanti të krahut jugur të NATO-s në TMK.
“Ardhja e tij është një njohje për punën e mirë që e ka bërë TMK-ja. E njoftuam me punën tonë, me përpjekjet tona për përmbushjen e standardit të tetë dhe morëm konfirmimin se TMK-ja do ta ketë mbështetjen e NATO-s dhe të KFOR-it", tha Çeku.
Admirali Michael Mullen ka thënë se tani për tani nuk dihet se cila do jetë e ardhmja e TMK-së, pasi sipas tij ajo varet nga e ardhmja e vetë Kosovës, në të cilën ndikim më të madh do të kenë vetë qytetarët e Kosovës.
Komandanti i krahut jugor të NATO-s para vizitës në TMK, ka qëndruar edhe ne selinë qëndrore të KFOR-it në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG