Ndërlidhjet

logo-print

O'REILLY: AKUZAT KUNDER RAMUSH HARADINAJT NUK KANË AS KREDIBILITET LIGJOR, E AS FAKTUAL


Zijadin Gashi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara që të ofrojë garancione për mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt. Ndërkohë që zyra për informim e qeverisë së Kosovës ka publikuar sot një prononcim të koordinatorit të ekipit të avokatëve të zotit Haradinaj, Michael O’Reilly, i cili e përshkroi aktakuzën si një përmbledhje njëzet-faqëshe të insinuatave dhe gënjeshtrave. “Një studim i përafërt i aktakuzës tregon se ajo nuk është asgjë tjetër pos një koleksion i pohimeve të marra drejtpërdrejt nga dosjet serbe”, citohet të ketë thënë O’Reilly. “Akuzat kundër Ramush Haradinajt nuk kanë as kredibilitet ligjor e as kredibilitet faktual,” ka pohuar ai.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës i ka dërguar një letër kryeadministratorit Soren Jessen Petersen, nga i cili ka kërkuar që UNMIK-u t’i ofrojë të gjitha garancat për mbrojtjen e Haradinajt në liri.
Kuvendi i Kosovës konsideron se mbrojtja në liri e Ramush Haradinajt, do t’i shpinte përpara të gjitha proceset në Kosovë, për çka kemi një angazhim të jashtëzakonshëm të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht të Misionit në krye të cilit jeni Ju, thuhet në letrën drejtuar Petersenit. Shefi i zyrës për marrëdhënie me publikun dhe mediat në Kuvendin e Kosovës, Sherif Konjufca, tha se kërkesa e kryesisë erdhi si rezultat i një takimi të mbajtur sot, dhe ajo është drejtuar në emër të Kuvendit të Kosovës:
“Kryesia e Kuvendit të Kosovës njëzëri vendosi që t’i dërgohet një kërkesë kryeadministratorit të Kosovës, zotit Petersen, që të ofrojë të gjitha garancitë institucionale që Ramush Haradinaj të mbrohet në liri dhe të kthehet në Kosovë”, tha Konjufca.
Mbrojtja e Ramush Haradinajt në liri, në bazë të garancive që do t’i jepni ju si shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara, do të ishte edhe një dëshmi për stabilitetin e krijuar në Kosovë, për misionin e suksesshëm tuajin dhe të institucioneve të zgjedhura të Kosovës dhe do të ishte një pranim i realitetit, se Kosova dhe njerëzit e saj është një vend normal me sundim të ligjit dhe të rregullit, thuhet në kërkesën e kryesisë së kuvendit të Kosovës. Një kërkesë të ngjashme UNMIK-ut tashmë i ka adresuar edhe qeveria e Kosovës.
Ndërkaq UNMIK-u, sot për herë të parë është deklaruar se do t’i japë këto garanca, nëse kjo i kërkohet kësaj administrate:
“Nëse Tribunali i Hagës kërkon nga UNMIK-u që të ofroj garancione për mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt, UNMIK-u do t’i ofrojë ato”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Sing. Ai thotë se Tribunali i Hagës është një institucion i pavarur, i cili mund të marrë vendime gjithashtu të pavarura, pra edhe për rastin Haradinaj.

XS
SM
MD
LG