Ndërlidhjet

logo-print

BUGAJSKI:"HARADINAJ VURI KOSOVËN MBI INTERESAT PERSONALE"


Janusz BUGAJSKI, qendra për studime strategjike dhe ndërkombëtare /Uashington/


RADIO EVROPA E LIRË
Cili është vlerësimi i juaj për vlerësimin për dorëzimin vullnetar të zotit Ramush Haradinaj në Hagë?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se është një lëvizje mjaft e përgjegjshme nga ana e tij. Për këtë çështje është folur për disa muaj dhe mendoj se përgjigja e tij ka qenë shumë pozitive që u dorëzua vullnetarisht, që i bëri thirrje njerëzve të jenë të qetë. Mendoj se tregoi përgjegjësi dhe e vuri vendin mbi interesat e tij personale. Pra, ishte një lëvizje e madhe nga lidershipi në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur shumë diskutime lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, pas kësaj ngjarjeje. Por, situata është e qetë, ashtu siç kërkoi edhe zoti Haradinaj. Çka do të thotë kjo për zhvillimet në Kosovë në përgjithësi?

JANUSZ BUGAJSKI
Para se gjithash, mendoj se do të është pozitive nëse mbahet qetësia, nëse nuk do ketë protesta të dhunshme apo sulme ndaj pakicave kombëtare, apo shkatërrim ndërtesash. Pra nëse nuk do të ketë asgjë si ato që ndodhën vitin e kaluar. Nëse popullësia mbetet e qetë, mendoj se do të jetë një bonus politik për lidershipin në Kosovë, kur të diskutohen standardet dhe çështja e statusit. Në fakt ata mund ta konsiderojnë këtë ngjarje si të një standardi shumë të madh ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, revista Ekonomist në Londër shkruajti se prokurorët në Hagë kanë pasur për qëllim t'i kundërshtojnë besimet serbe se Tribunali është një gjyq illegal anti serb. Poashtu, disa analist thonë se akuza ndaj zotit Haradinaj ishte e motivuar politikisht. Si komentoni ju këto?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se do të jetë e vështirë të bindet Beogradi dhe disa forca në Beograd se Tribunali i Hagës nuk është një gjyq ilegal antiserb. Prandaj pavarësisht se kush nga etnitë e tjera arrestohet, nuk mendoj se kjo do t'i bindë ata, sepse këtë e përdorin për qëllime propagande. Së dyti nëse ka një element politik, mendoj se pjesa e saj politike është ushtrimi i një presioni të jashtëzakonshëm tani mbi Beogradin, që të dorëzojë kriminelët më të mëdhenj të luftës, sidomos Mlladiçin, që besohet se fshihet në Serbi, si dhe bashkëpunimi për gjetjen e numrit një të kriminelëve të luftës Radovan Karaxhiç.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe kosovarë kanë thënë se ky vit është shumë i rëndësishëm për Kosovën, për shkak të vlerësimit të standardeve, që i përmendët pak më parë, dhe eventualisht për diskutimet lidhur me statusin final. Sipas jush, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, a do të ndodhë kjo?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se janë të gjitha indikacionet se më vonë gjatë verës do të ketë një vlerësim të tërësishëm të standardeve që janë përmbushur dhe të standardeve që nuk janë plotësuar nga udhëheqja në Kosovë. Së dyti do të ketë njëfarë fillimi të diskutimeve lidhur me hartimin e një plani që do çonte drejt statusit përfundimtar. Se si do duket ky plan, është pak herët për të thënë, por çdo lëvizje nga lidershipi kosovar, veçanërisht për të vazhduar programin e inicuar nga kryeministri Haradinaj, mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme politikisht kur të arrihet në vlerësimet dhe diskutimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se bisedimet për statusin final të Kosovës do të fillojnë këtë vit?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj që bisedimet preliminare të kësaj çështjeje do fillojnë ndoshta nga fundi i verës. Por procesi i parë do të jetë vlerësimi i standardeve ndërkombëtare të caktuara për Kosovën, të atyre që janë përmbushur dhe të atyre që duhet të përmbushen. Por besoj se do të ketë fillim të bisedimeve lidhur me një plan drejt statusit përfundimtar. Kjo mendoj se mund të përshpejtohet nëse udhëheqësia në Prishtinë do të arrijë që të fitojë një mbështetje politike të Perëndimit dhe të rrisë reputacionin se i ka plotësuar standardet që iu caktuan.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, a mund ta bëni një vlerësim se sa do të zgjasë kjo?

JANUSZ BUGAJSKI
Unë jam i bindur se pavarësia do të vijë. Sa kohë do duhet është diçka që varet nga bashkësia ndërkombëtare por edhe nga Prishtina, si dhe nga ajo se çfarë ndërkombëtarët mund t'i ofrojnë Beogradit, le të themi ta përfshijnë Beogradin ose në pranimin e procesit, ose në moskundërshtimin e hapur të këtij procesi. Këndvështrimi im personal është që me siguri do të duhet një ose dy vjet të tjera, pasi të jetë caktuar plani drejt statusit përfundimtar. Megjithatë mendoj se sapo topi të fillojë të rrokulliset në atë drejtim, nuk do të ketë asgjë që ta ndalojë atë.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG