Ndërlidhjet

logo-print

JAVA E KALUAR ISHTE E QETË- THONË ZYRTARËT NDËRKOMBËTARË


Albana Isufi, Prishtinë

Java e kaluar, gjatë së cilës u vetëdorëzua në Tribunalin e Hagës Ramush Hardinaj, sipas autoriteteve ndërkombëtare të sigurisë ka kaluar shumë qetë dhe shkuarja e Haradinajt nuk ka ndikuar në prishjen e rendit publik.
“Situata e përgjithshme ka qenë shumë stabile, ka pasur disa protesta, por ato janë mbajtur në mënyrë shumë paqësore, kemi indikacione shumë pozitive nga të gjithë liderët”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, duke shtuar se liderët kosovarë, por edhe populli i Kosovës dëshiron që të lëvizë përpara me përmbushjen e standardeve.
“Kjo dëshmohet me faktin se populli i Kosovës po reagon me mënyra demokratike dhe po i shpreh pikëpamjet e veta me një maturi politike”, theksoi Singh.
Edhe shefi për informim i KFOR-it Yves Kermovant, vlerëson javën e kaluar si një nga javët e zakonshme në Kosovë:
“Në javën e kaluar nuk ka pasur më shumë dhunë, për më tepër ka qenë një javë shumë normale, nuk ka pasur incidente të veçanta dhe mund të themi se ajo ishte një javë e zakonshme .”
Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, thotë se veprat e rëndomta penale që kanë ndodhur gjatë javës së shkuar nuk duhen lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj Haradinajt.
“Disa vepra penale që janë kryer javën e kaluar, nuk do i kisha lidhur me ngritjen e aktakuzës nga Tribunali I Hagës, kështu që asgjë e pazakonshme nuk ka ndodhur në javën e kaluar”, thotë Singh.
Që të dy zyrtarët e sigurisë vlerësojnë se aktualisht në Kosovë mbretëron një ambjent i qetë dhe stabil, ndërkohë që në rajonin perëndimor të Kosovës është kthyer në shkallën normale niveli i sigurisë.
“Shkalla e nivelit të sigurisë në perëndim të Kosovës është në të nëjtin nivel sic ka qenë edhe me parë,” thotë Singh.
Ndërkohë, 600 trupat shtesë të KFOR-it nga Gjermania dhe 500 nga Britania e Madhe, që arritën javën e kaluar në Kosovë, do të vazhdojnë të qëndrojnë këtu edhe një muaj.

XS
SM
MD
LG