Ndërlidhjet

logo-print

A.SALIHAJ: S'DO TË ISHTE NË RREGULL QË TË NA IMPONOHET SE SI TA ZGJEDHIM QEVERINË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës e konsideron të padrejtë çdo presion, siç thuhet, që do të bëhej mbi të, për përfundimin e mandatit të saj dhe krijimin e ndonjë qeverie të re, qoftë ajo teknike apo e shpëtimit kombëtar. Kështu ka pohuar sot ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Kosovës, Adem Salihaj. Ai tha se marrëveshja ndërmjet partive në koalicion është e atillë që parasheh edhe “Planin B”, me të cilin pas Ramush Haradinajt, këtë post do ta trashëgonte Bajram Kosumi, po nga AAK-ja, duke marrë paraprakisht dhe miratimin nga Kuvendi i Kosovës.
Salihaj, sot për herë të parë që nga dorëheqja e Haradinajt, e ka përmendur Unionin Evropian, si një nga mekanizmat që ka shtruar për diskutim dhe çështjen e koalicionit egzistues, si dhe atë të krijimit të ndonjë koalicioni të ri qeverisës në Kosovë. Ai i bëri këto komente sot, pas një takimi me një delegacion monitories të Bashkimit Evropian, që u zhvillua në ditën kur në Kosovë do të të mbërrijë dhe Përfaqësuesi i lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Havier Solana:
“Zotërinjtë nga Misioni Monitorues po ashtu janë janë interesuar të dinë se cili do të jetë qëndrimi ynë për qeverinë, kompletimin e saj. Ne i kemi informuar se një ekip që ka punuar shumë mirë për 100 ditë, një ekip shumë i sukseshëm nuk ka arsye të ndërrohet me një ekip tjetër, për të cilin nuk e dimë se sa do të ketë sukses”, tha Salihaj.
Për ushtruesin e detyrës së kryeministrit të Kosovës, Adem Salihajn, çdo ndërhyrje eventuale apo presion nga jashtë për krijimin e ndonjë qeverie të re, konsiderohet ndërhyrje. Ai tha se pret që qeveria aktuale të vazhdojë punën e vet, pa pasur nevojë për negociata eventuale për ndonjë koalicion të ri qeverisës:
“Unë shpresoj shumë që nuk do të ndodhë ajo sepse nuk do të ishte në rregull që dikush t’ia imponojë Kosovës mënyrën se si e zgjedh qeverinë e vet. Kosova ka dhënë prova të qarta se është e aftë t’i zgjidh vetë problemet e saj. Pra, partitë politike pa asnjë imponim kanë arritur të formojnë një qeveri shumë të sukseshme dhe duhet t’u lihet mundësia sërish ta bëjnë këtë, pra të mos u imponohet një formulë e caktuar, e cila në të kaluarën nuk ka dhënë rezultate edhe aq të mira. "Unë mendoj se nuk do ta bëjnë këtë, as Unioni Evropian e as dikush tjetër, sepse nuk do të ishte në rregull edhe në aspektin e parimeve demokratike”, theksoi Salihaj.
Vizita e Havier Solanës në Prishtinë është komentuar dhe si mundësi që spektri politik kosovar t’i diskutojë dhe opsionet e tjera për një qeveri gjithëpërfshirëse. Mundësia e lënies së opsioneve të hapura arsyetohet dhe me faktin se Kuvendi i Kosovës e ka shtyrë votimin për qeverinë e re, pas datës 20 mars, çka këtu komentohet dhe si lënie e e një afati shtesë për t’i dëgjuar dhe vlerësimet e bashkësisë ndërkombëtare rreth egzekutivit të Kosovës, pas shkuarjes së Haradinajt. Sidoqoftë, partnertët qeverisës deri tani janë shprehur të vendosur ta vazhdojnë qeverisjen e Kosovës, ndërkaq opozita ka mbështetur krijimin e një qeverie të re. Në këto çaste, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen po zhvillon një takim me të kandiduarin për kryeministër të Kosovës, Bajram Kosumin, ku pritet që Kosumi të dalë me qëndrim të qartë rreth këtij nominimi.


XS
SM
MD
LG