Ndërlidhjet

CILAT JANË MUNDËSITË QË RAMUSH HARADINAJT T'I LEJOHET MBROJTJA NË LIRI?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dorëheqja e zotit Haradinaj nga posti i kryeministrit dhe shkuarja vullnetare e tij në Hagë për t’u përballur me akuzat e Tribunalit për Krime të Luftës si dhe garancitë që ka premtuar t’i ofrojë shefi i UNMIK-ut Petersen, janë një bazë e mirë që Gjykata e Hagës ta lejojë mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt, tha sot eksperti i të drejtës ndërkombëtare penale, Ismet Salihu, disa orë pasi mbrojtja e zotit Haradinaj paralajmëroi kërkesën për mbrojtjen në liri të kryeministrit të Kosovës që dha dorëheqje nga posti i tij më tetë mars.
Zoti Salihu tha se Tribunali i Hagës i ka të përcaktuara qartë rrethanat dhe parakushtet për të lejuar të akuzuarit që të mbrohen në liri:
"Në radhë të parë të mos egzistojë rreziku që pas lirimit për mbrojtje në liri të ikë, pastaj të mos egzistojë rreziku të ndikojë në dëshmitarët, të mos ndikojë në asgjësimin e provave. Kusht i rëndësishëm është që mundësia e mbrojtjes së tij në liri të mos ndikojë në qetësinë e opinionit publik, apo të mos provokojë ndonjë çrregullim, apo protestë".
Zoti Ismet Salihu tha se Ramush Haradinaj i ka plotësuar ose ka dëshmuar se i plotëson të gjitha këto parakushte, ndërkohë që sipas tij, institucionet e Kosovës nuk mund të bëjnë shumë në këtë plan:
"Në situatën që kanë institucionet e Kosovës, sipas autorizimeve që kanë, ata vetëm mund të bëjnë apele, të kërkojnë dhe të lusin".
Sipas, profesorit të të drejtës ndërkombëtare penale, Ismet Salihut, garanci të tilla mund të ofrojë sipas Kornizës Kushtetuese vetëm Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Jessen Petersen, pasi sipas Kornizës Kushtetuese, çështja e sigurisë, e policisë dhe e gjyqësisë janë kompetenca ekskluzive të tij:
"Deklarata e kryeadministratorit Peteresen thotë se nëse lejon gjykata mbrojtjen e tij në liri, ai do të garantojë për gjithë ato që u përmendën më parë".
Ndërkohë, tha zoti Salihu, Haradinaj ka përmbushur parakushtin kryesor:
"Një ndër kushtet shumë të rëndësishme për lirimin në mbrojtje është edhe dorëzimi i tij vullnetar, kështu që vetë fakti se ai është dorëzuar vullnetarisht dhe ka udhëtuar vetë, kjo është ndër kushtet shumë të rëndësishme për vendosjen e Tribunalit që Haradinaj të mbrohet në liri".
Sidoqoftë, zoti Salihu tha se shumica e akuzave kundër zotit Haradinaj janë të mbështetura në provat dhe insinuatat e regjimit të Serbisë dhe shërbimeve sekrete të policisë të Serbisë, prandaj prokurorisë së Hagës do t’i duhet t’i administrojë ato prova.



XS
SM
MD
LG