Ndërlidhjet

logo-print

BAJRAM KOSUMI I GATSHËM TË MARRË POSTIN E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, është shprehur sot i gatshëm që të marrë postin e kryeministrit të Kosovës dhe të drejtojë qeverinë për mandatin e ardhshëm që i ka mbetur. Këtë gadishmëri, Kosumi e ka shprehur sot pas një takimi që zhvilloi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen dhe pas kandidimit të tij për postin e kryeministrit nga ana e Ramush Haradinajt, në ditën kur ai dha dorëheqjen pas aktakuzës së ngritur nga ana e Tribunalit të Hagës. Kosumi tha se do të drejtonte qeverinë e Kosovës nëse koalicioni i tanishëm LDK-AAK do të vazhdonte të qeveriste Kosovën:
“Po… Unë nuk kam pritur se do të ndodhte kështu si ndodhi dhe nuk kam qenë i përgatitur se do të ndodhte kështu, por pasi ka ndodhur, jam i gatshëm që ta marr (postin e kryeministrit)”, tha Bajram Kosumi, për të shtuar se kishte gjetur dhe mirëkuptimin e Petersenit që partitë politike të jenë ato që do të përcaktohen vetë për qeverinë e re, që do të ndërtohet pas shkuarjes së Haradinajt. Bazuar në disponimin e LDK-së dhe AAK-së, si partnerë qeverisës, Kosumi parashikoi një afat tejet të shkurtër për formimin e qeverisë së re, po nga këto dy parti dhe nën drejtimin e tij:
“Unë mendoj se është një klimë pozitive, shumë pozitive për formimin e qeverisë së ardhshme sa më shpejt. Mendoj brenda disa ditëve, kur them disa ditë nuk them dy –tri ditë, por nuk do të jenë as dhjetë ditë… mbi atë formulë që kemi qenë deri tani, kjo qeverisje është treguar e suksesshme”, tha Kosumi.
Përndryshe, Qeveria e Kosovës ka vazhduar ta konsiderojë të padrejtë çdo presion eventual, që do të bëhej mbi të, për ndryshimin e formulës aktuale të arritur në marrëveshjen ndërmjet LDK-së dhe AAK-së dhe krijimin e ndonjë qeverie të re gjithëpërfshirëse. Kundër çdo presioni eventual, është shprehur sot dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Kosovës, Adem Salihaj. Ai tha sot se një delegacion monitories nga Bashkimi Evropian ishte interesuar të dijë rreth fatit të qeverisjes në Kosovë pas Haradinajt, dhe njëkohësisht shprehu bindjen se nuk do të ketë ndërhyrje. Interesimi i këtij delegacioni u bë në kohën kur në Kosovë pritet të vijë dhe Përfaqësuesi i lartë për Siguri dhe Politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Havier Solana, i cili nesër zhvillon takime me përfaqësuesit më të lartë vendorë dhe ata ndërkombëtarë në Prishtinë:
“Unë shpresoj shumë që nuk do të ndodhë ajo sepse nuk do të ishte në rregullë që dikush t’ia imponoj Kosovës mënyrën se si e zgjedh qeverinë e vet. Kosova ka dhënë prova të qarta se është e aftë t’i zgjidhë vetë problemet e saj”, tha Salihaj.
Vizita e Havier Solanës në Prishtinë është komentuar dhe si mundësi që spektri politik kosovar t’i diskutojë dhe opsionet tjera për një qeveri gjithëpërfshirëse. Sidoqoftë, partnerët qeverisës deri tani janë shprehur të vendosur ta vazhdojnë qeverisjen e Kosovës, ndërkaq opozita ka mbështetur krijimin e një qeverie të re.


XS
SM
MD
LG