Ndërlidhjet

FAKTORËT POLITIKË DËNOJNË SULMIN E SOTËM NDAJ KONVOJIT TË KRYETARIT RUGOVA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Të gjitha institucionet vendore, ato ndërkombëtare, si dhe subjektet relevante politike në Kosovë, e kanë dënuar ashpër shpërthimin e sotëm që ndodhi në Prishtinë, duke e cilësuar atë si sulm ndaj presidentit Ibrahim Rugova. Qendrat politike në Prishtinë e kanë konsideruar këtë akt të drejtuar dhe kundër stabilitetit në Kosovë dhe kanë kërkuar nga organet përgjegjëse ndriçimin e rastit dhe vënien e kryerësve të tij para drejtësisë.
Në fakt, sipas zyrtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës, sot rreth orës 08:20, në afërsi të shtëpisë së sporteve në Prishtinë, ka ndodhur një shpërthim në një kontenjer mbeturinash, në momentin kur aty pari po kalonte eskorta e presidentit Rugova, i cili po shkonte të takonte Përfaqësuesin e Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana. Rugova ka shpëtuar pa ndonjë lëndim, përveçse një gomë e veturës së tij u dëmtua. Zyra e presidentit Rugova, e ka quajtur këtë, tentim për atentat ndaj presidentit Rugova dhe ka kërkuar nga organet përgjegjëse ndriçimin e rastit dhe nxjerrjen e kryerësve të aktit para drejtësisë:
"Si president i Kosovës e gjykoj këtë akt dhe ata njerëz që kanë për qëllim të bëjnë vepra të tilla, duhet t’i pengojmë dhe duhet të marrin dënimin e merituar, sepse nuk duhet të lejohet që të vihet në rrezik jeta e qytetarëve të Kosovës”, tha Rugova.
Aktin e sotëm e kanë dënuar ashpër shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen, i cili tha se menjëherë pas ngjarjes e ka thirrur Rugovën, duke i shprehur atij keqardhje:
“Është e qartë se akte të tilla nuk e gëzojnë përkrahjen e shumicës së popullatës së Kosovës dhe është e qartë se akte të tilla nuk do ta devijojnë rrugën e Kosovës drejt implementimit të standardeve dhe rrugën drejt diskutimeve për statusin e saj në fund të këtij viti”, tha Petersen.
Po ashtu, edhe qeveria e Kosovës, e ka cilësuar këtë si një akt makabër, të drejtuar jo vetëm kundër presidentit Rugova, por edhe kundër pavarësisë së Kosovës.
Ndërkaq, subjekti më i madh opozitare, PDK-ja, duke e dënuar fuqishëm shpërthimin e sotëm në afërsi të kolonës së automjeteve të kryetarit Ibrahim Rugova, vlerëson gjithashtu se kjo është vepër e atyre që nuk e duan progresin, vepër e atyre që duan që Kosovën dhe qytetarët e saj t’i mbajnë në tension dhe frikë. Aktet e tilla, potencon kjo parti politike, nuk duhet të influencojnë në procesin politik.
Duke e dënuar këtë akt, subjekti tjetër opozitar Ora e cilëson atë si një akt qyqar, që është i drejtuar jo vetëm ndaj figurës së Kryetarit dhe institucionit të cilin ai përfaqëson, por është edhe një tjetër përpjekje që të destabilizohet situata në Kosovë.
“Kushdo që është përgjegjës për këtë sulm, është e qartë se ka punuar drejtpërdrejtë kundër interesave të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e partisë Ora.
Në anën tjetër zëdhënësja e policisë së Kosovës, Sabrije Kamberi, e ka përshkruar rastin duke u bazuar në hetimet aktuale në vendin e ngjarjes:
“Kemi informacion se ka qenë duke kaluar konvoji i presidentit dhe një veturë është e dëmtuar, domethënë goma e djathtë e mbrapme e veturës. Për momentin kjo është çfarë dimë”, tha Kamberi.
Përveç hetimit të rastit, policia nuk ka dhënë asnjë informatë zyrtare nëse dikush është arrestuar si i dyshuar për këtë akt.
Në anën tjetër Presidenti Rugova, përkujtoi me këtë rast se ai kishte qënë objekt sulmi dhe para një viti, kur persona të panjohur kishin hedhur një bombë dore në shtëpinë e tij. Me këtë rast, Rugova kërkoi nga policia më shumë punë dhe aksione më energjike ndaj akterëve të këtyre veprimeve.
“Tentimi i sotëm për atentat ndaj presidentit Rugova forcon edhe më shumë bindjen se Kosova ka nevojë të ketë strukturë të plotë sigurie, si çdo shtet funksional, që nënkupton forca policie të specializuara, shërbim të inteligjencës dhe sistem kontrolli të plotë të kufinjëve dhe pikës së aeroportit, për të ditur se kush hyn e kush del në këtë vend”, thuhet në reagimin e zyrës së presidentit Rugova.
Sidoqoftë, policia nuk ka arritur të konstatojë asnjë motiv të rastit të sotëm, sikurse asnjëherë nuk ka publikuar rezultatet e hetimeve të sulmit me bombë dore në rezidencën e Rugovës para një viti.




XS
SM
MD
LG