Ndërlidhjet

PALA KOSOVARE, E GATSHME PËR TAKIMIN E NESËRM PËR PERSONAT E ZHDUKUR


Albana Isufi, Prishtinë

Pala kosovare ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e dytë për të zhdukurit, që do të mbahet nesër në Beograd.
Grupi punues kosovar edhe këtë radhë do të udhëhiqet nga përfaqësuesit e Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ndërsa pjesëmarrjen e kanë konfirmuar përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të UNMIK-ut.
“Ky është një takim që është dashur të mbahet javën e kaluar. Takimi do të kryesohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, dhe do të mbahet në Beograd me delegacionin nga Prishtina, ku do marrë pjesë edhe drejtori i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut," thotë zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot duke shtuar se pret që nga ky rifillim i dialogut, të shkëmbehen më shumë informacione për të zhdukurit nga të dyja palët.
Ragip Zekolli nga qeveria e Kosovës, thotë se janë kryer përgatitjet për takimin, i cili qe paraparë të mbahet më 10 mars, por që u shty për nesër për shkak të rrethanave të krijuara pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj dhe dorëzimit vullnetar të tij në Tribunalin e Hagës.
”Nesër delegacioni ynë udhëton, takimi fillon në orën 10:00, pala kosovare e ka konfirmuar udhëtimin. Është faza e parë e punës presim, sepse çështja e dialogut është një nga kushtet dhe të dy palët jemi dakorduar se është humanitare”.
Zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq Idriz Gashi, që edhe udhëheq grupin punues kosovar për të zhdukurit, pret që takimi i nesërm të sjellë rezultatet e para konkrete.
“Pres që lista për të zhdukurit e përpiluar nga KNKK-ja të përdoret si dokument bazë për punën e mëtejme të grupeve punuese, pastaj të fillohet me takime të radhës ku do diskutohen konkretisht fati i më se 3000 personave të pagjetur. Jemi optimistë se do jetë takim i suksesshëm”, tha Gashi.
Takimin e nesërm do ta udhëheq Francois Stamm, udhëheqës për operacionet e Kryqit të Kuq për Evropën Juglindore, ndërkohë që vëzhgues nga Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja do të jenë të pranishëm në takim.
Idriz Gashi thotë se ky është vetëm fillimi i punës dhe familjarët e personave të pagjetur duket se do të presin edhe një kohë të gjatë derisa të zbardhet fati i të zhdukurve.
“Mendoj që familjet kanë pritur mjaft, por do presin edhe më, pasi ky është fillimi i një procesi të gjatë, e kanë pranuar se është obligimi i tyre që të ulen dhe bisedojnë në mënyrë që të ofrojnë përgjigje për familjarët e personave të zhdukur”.
Në delegacionin kosovar që do të udhëtojë nesër për në Beograd, marrin pjesë Idriz Gashi nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Ragip Zekolli e Nexhmedin Spahiu nga qeveria e Kosovës, Arsim Gërxhaliu si ekspert i mjekësisë ligjore dhe drejtori i Departamentit të Drejtësisë në UNMIK, Thomas Monathan.

XS
SM
MD
LG