Ndërlidhjet

POLICIA ENDE PA DETAJE TE REJA LIDHUR ME SULMIN NDAJ PRESIDENTIT RUGOVA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarët e policisë në Kosovë thanë se ende nuk ka ndonjë të dyshuar për shpërthimin e djeshëm në Prishtinë kundër presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe ende nuk dihet me saktësi natyra e mjetit shpërthyes që është përdorur në këtë sulm. Zëdhënësi i UNMIK-ut për polici dhe drejtësi, Neeraj Singh, tha sot se sulmi është shkaktuar nga një mjet shpërthyes dhe hetimet po vazhdojnë, ndërkohë që indikacionet e para nuk tregojnë se shpërthimi është kryer nga të qëlluarit me ndonjë armë, por mjeti ka shpërthyer në kohën kur konvoji po kalonte në atë zonë:
"Ne kemi thënë edhe dje se ka ndodhur një sulm me mjet shpërthyes kundër konvojit të presidentit Rugova dhe çfarëdo gjë tjetër që themi, ka të bëjë me motivet, për ç’gjë ende nuk kemi ndonjë informacion të vërtetuar," tha zëdhënësi Singh, duke konstatuar më pas se këto janë incidente të izoluara, në bazë të të cilave nuk guxon të krijohet përshtypja se në Kosovë nuk ka siguri:
"Unë nuk mendoj se ka ndonjë agjenci e sigurimit që mund të ofrojë garanci të qindpërqindta kundër veprimeve të tilla," tha zëdhënësi Neeraj Singh, duke pranuar megjithatë se ende ka mbetur i pasqaruar edhe sulmi me bombë që ka ndodhur një vit më parë në oborrin e shtëpisë së presidentit Rugova.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Refki Morina, tha se situata e sigurisë edhe pas incidentit është e qetë dhe nuk ka ndonjë incident që vlen të përmendet dhe policia po kryen punët e veta brenda gjithë sektorëve, por me një nivel më të lartë gadishmërie:
"Niveli i sigurisë ka qenë edhe më herët, por tani është në një nivel më të lartë dhe njësitet po i kryejnë punët e veta".
Në anën tjetër, nuk është ndërmarrë ndonjë veprim formal për t’iu përgjigjur kërkesës së djeshme të presidentit Rugova, menjëherë pas sulmit kundër tij, që të përforcohen masat e sigurisë dhe të kontrollit të kufijve dhe të aeroportit. Zëdhënësi Morina tha se policia po bën çmos që të sigurojë kontroll më të rreptë dhe më efikas:
"Posaçërisht nuk kemi ndonjë masë, por pjesëtarët e SHPK-së edhe në dogana, edhe në kufi, edhe në aeroport, janë duke bërë çmos që të kontrollohen të gjithë ata që lëvizin dhe të bëhet një kontroll më i madh".
Zyrtarët e forcave paqëruajtëse thanë se masat e sigurisë të kësaj natyre janë përgjegjësi e policisë, ndërkohë që KFOR-i është i gatshëm të reagojë ndaj situatave, tha koloneli Iv Kermorvant:
"Egziton policia kufitare. KFOR-i vepron në kufij, por njerëzit përgjegjës janë ata të policisë kufitare," tha koloneli Kermorvant, ndërkohë që zëdhënësi i policisë Neeraj Singh, tha se është e vërtetë që vendkalimet kufitare janë nën kontrollin e policisë kufitare të UNMIK-ut, mirëpo zonat ndërmjet vendkalimet zyrtare janë përgjegjësi e KFOR-it.
Sidoqoftë, zëdhënësi Singh tha se ka pasur ndryshime të jashtëzakonshme të situatës së sigurisë dhe të klimës politike në Kosovë, që nga marsi i vitit të kaluar. Mbështetur në mësimet që kemi marrë nga ajo që ndodhi në mars dhe nga fakti që nuk arritëm ta adresojmë si duhet situatën e trazirave, janë ndërmarrë shumë hapa për të përmirësuar sigurinë, tha zëdhënësi Singh.






XS
SM
MD
LG