Ndërlidhjet

logo-print

PARTITË POLITIKE ME QËNDRIME TË PANDRYSHUARA NDAJ FORMIMIT TË QEVERISË SË RE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partitë kryesore politike në Kosovë, nuk i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre në lidhje me formimin e qeverisë së ardhshme, pas dorëheqjes dhe shkuarjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Hagë. Ndërsa Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbështesin formimin e qeverisë së re duke u mbështetur në marrëveshjen e njëjtë ndërmjet tyre, sipas të cilës presidenti i Kosovës do të propozonte kryeministrin që do të vijë nga radhët e AAK-së dhe më pas mandatari do t’i propozojë Kuvendit listën e ministrave, në bazë të marrëveshjes së arritur në fund vitin e kaluar, në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të mbështesë krijimin e një qeverie të re, të cilës do t’i printe kjo parti. Këto qëndrime, partitë politike në Prishtinë, nuk i kanë ndryshuar as pas vizitës së shefit të diplomacisë Evropiane Havier Solana dhe shumë analizave që e kanë përcjellur atë vizitë, sipas të cilave Solana do t’i kërkonte spektrit politik në Kosovë një qeveri gjithëpërfshirëse. Duke transmetuar qëndrimin e LDK-së, zëdhënësi i saj Lulëzim Zeneli, tha se kjo parti vazhdon ta mbajë një opsion, e ai është vazhdimi i me qeverisjen sipas formulës aktuale ndërmjet LDK-së dhe AAK-së:
“Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës sa i përket formulës qeverisëse mbetet i njëjtë. Prandaj kjo është si rezultat i krejt punës dhe angazhimit të cilin LDK-ja e ka demonstruar së bashku me partnerët e koalicionit në 100 ditët e para të qeverisjes, dhe ne nuk shohim asnjë argument, asnjë arsye e cila mund të lëvizet nga këto pozicione”, tha Zeneli.
Vazhdimit të koalicionit aktual i ka dhënë sërish përkrahje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo parti, ka propozuar tashmë Bajram Kosumin për mandatar të qeverisë së Kosovës. Ajo pret që deri në fund të këtij muaji, zoti Kosumi të marrë dhe zyrtarisht postin e kryeministrit. Zëdhënësi i Aleancës, Ernest Luma, tha se kjo parti nuk ka ndonjë opsion tjetër rezervë:
“Ne e kemi kandidatin tonë për kryeministër zotin, Bajram Kosumi, ashtu siç e kishte shpallur publikisht më 8 mars kryeministri në dorëheqje, pra zoti Ramush Haradinaj para dorëheqjes së tij, dhe ne jemi të përcaktuar të ecim në bazë të kësaj porosie dhe këtij vendimi e natyrisht këtij përcaktimi të Aleancës. Jemi të përcaktuar që ta vazhdojmë koalicionin me partnerët tanë LDK-në dhe partnerët e tjerë”, tha Luma.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, subjekti më i madh opozitar ka si opsion të vetin krijimin e një qeverie gjithpërfshirëse, të cilën do ta drejtonte pikërisht PDK-ja. Një qeveri e spektrit të gjerë, sipas nënkryetarit të PDK-së, Hajredin Kuqit, arsyetohet me faktin se Kosova ka para vetes procesin vendimtar për statusin e saj:
“Është mirë që të merren parasysh dy gjëra elementare, dhe ato janë çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, respektivisht dialogut për këtë status dhe çështjet sociale, të cilat janë në një gjendje të rëndë në Kosovë. Të dy këto dhe disa çështje të tjera, përfshirë këtu edhe standardet, kërkojnë një unitet të gjerë politik, natyrisht edhe institucional. Pra qëndrimi ynë është që të kemi një qeveri të gjerë, gjithpërfshirëse, mbi bazën etnike po ashtu edhe politike”, tha Hajredin Kuqi, duke shtuar se këtë qeveri, PDK-ja është e gatshme ta marr nën drejtim, nëse do të kishte një marrëveshje të re ndërmjet forcave kryesore politike:
“Me hyrjen në qeveri, PDK-ja, edhe mbi bazën e fuqisë politike që ka, por edhe mbi bazën e pretendimeve të saj, do të ketë pozicionin e kryeministrit të Kosovës”, pohoi Kuqi.
Përndryshe, Kuvendi i Kosovës pritet që të mblidhet në fund të javës së ardhshme. Nëse partnerët e koalicionit aktual e vazhdojnë marrëveshjen e tyre, atëherë në atë seancë, pritet që presidenti të nominojë mandatarin e ri, i cili më pas do t’i paraqesë Kuvendit listën e kabinetit të tij. Votimi në Kuvend parasheh për dy rrethet e para 80 vota për, ndërsa në rrethin e tretë mjaftojnë 61 vota për t’u zgjedhur kryeministri dhe kabineti i ri qeveritar.



XS
SM
MD
LG