Ndërlidhjet

logo-print

PAQARTËSIRA RRETH MANDATIT TË AKM-SË


Albana Isufi, Prishtinë

Kanë mbetur 2-3 muaj, para se Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit t’i skadojë mandati. Por, puna që i ishte përcaktuar , për të zhvilluar dhe përfunduar procesin e privatizimit nuk është kryer ende.
Zyrtarët e UNMIK-ut thonë se para se të vendosin për t’i zgjatur mandatin AKM-së, do të konsultohen me autoritete të ndryshme.
“Joachim Ruecker dëshiron që të angazhojë strukturat relevante për të diskutuar këtë çështje. Kjo është pak e komplikuar, por ne si Shtyllë e Katërt nuk mund të themi çfarë në të vërtetë do të ndodhë, pasi siç e dini AKM është e themeluar me paratë e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës dhe po ashtu në të është i përfshirë UNMIK-u. Ne duhet të konsultohemi, por është e qartë se shumë punë ende nuk janë kryer dhe mendoj se AKM-ja duhet të vazhdojë të punojë”, thotë zëdhënësja e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Metchilde Henneke.
Ekspertët ekonomikë sugjerojnë një ndryshim në strukturat e AKM-së. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Ismajl Kastrati, thotë se në tani e tutje do të duhej që kompetencat e AKM-së t’i barteshin institucioneve vendëse.
“Do të ishte mirë që kompetencat e AKM-së të barten te vendorët, ndërsa AKM të ketë një rol monitorimi, por gjasat reale janë se kësaj AKM-je do t’i vazhdohet mandati deri në fund të privatizimit”, thotë Kastrati.
Në anën tjetër zëdhënësja Henneke thotë se në mandatin e ardhshëm AKM-ja do të pësojë disa ndryshime, por jo ato që kërkohen nga ekspertët.
“Ruecker ka thënë se ndoshta do të ketë disa ndryshime në politikat operacionale, por jo në strukturën e saj. Mendoj se në procesin e vendimmarrjes, në atë se si dhe kush do ta udhëheq bordin, nuk ka plane për të bërë ndryshime, “ thotë Henneke, duke shtuar se shefi i ri i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, shpreson që deri në fund të vitit të shiten shumica e ndërmarrjeve shoqërore.
“ Privatizimi është detyra kryesore e AKM-së dhe do të dëshironim që shumica e punëve të kryhen deri në fund të këtij viti. Zoti Ruecker thotë se 90 për qind e ndërmarrjeve të vlefshme do të duhej të shiten deri atëherë. Të shohim se sa shpejt po ecën procesi dhe mendoj se kjo çështje duhet të diskutohet në baza pragmatike”, thotë Henneke.
Ismajl Kastrati pohon se edhe Oda Ekonomike e Kosovës ka marrë premtime nga personi më përgjegjës për privatizimin, Joachim Ruecker, se ky proces do të zhvillohet më shpejt. Por, ai shpreh dyshimin se do të ketë progres, nëse privatizimi zhvillohet me dinamikën e deritanishme.
“Nëse vazhdon me tempin e deritanishëm, AKM-së do t’i duheshin t’i përsëriteshin shumë mandate.”
AKM ka kohë që kritikohet nga ekspertët e ekonomisë dhe institucionet vendore për ngecjen në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, gjë që sipas ekspertëve, Kosovës dhe popullit të saj i janë shkaktuar humbje të mëdha.
Megjithatë, ekspertët e ekonomisë thonë se shefi i ri i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Ruecker, për dallim nga paraardhësi i tij Nikolaus Lambsdorf, i cili pat bllokuar për një vit procesin e privatizimit, ka dhënë sinjale se do të çojë këtë proces përpara në bashkëpunim me institucionet vendore.

XS
SM
MD
LG