Ndërlidhjet

logo-print

RUGOVA: FORMULA E QEVERISJES MBETET E NJËJTË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka vërtetuar edhe një herë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për ta vazhduar koalicionin ndërmjet këtyre partive, me rastin e formimit të qeverisë së re të Kosovës. Këto komente, presidenti Rugova i ka bërë pas takimeve që ka pasur me liderët e partive opozitare, Hashim Thaçi nga PDK dhe Veton Surroi nga partia Ora, si dhe me përfaqësues të Grupit 6 plus, ku bëjnë pjesë partitë e pakicave joserbe.
Presidenti Rugova tha se së shpejti do të bënte të njohur vendimin për nominimin e kandidatit për kryeministër, ndërkohë që koalicioni do të vazhdojë të funksionojë:
"Do të marr vendim së shpejti rreth kësaj çështjeje dhe do t’ia paraqes parlamentit. Siç e dini, këto dy grupacione janë për t’u ruajtur koalicioni, ndërsa grupacionet e tjera kërkojnë diçka tjetër".
Ndërkohë dihet se kandidati i vetëm për kryeministër nga koalicioni egzistues, është Bajram Kosumi, i propozuar së pari nga zoti Ramush Haradinaj, me rastin e shpalljes së dorëheqjes, për shkak të aktakuzës së ngritur kundër tij nga Tribunali i Hagës.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se biseda e tij e parë vetëm për vetëm me zotin Rugova ishte konstruktive dhe shfaqi shpresën që presidenti ta luajë rolin e tij avancues në unifikimin e spektrit politik dhe qytetarëve të Kosovës, në procesin politik tani dhe në të ardhmen, ndërkohë që PDK-ja do të vazhdojë të jetë opozitë:
"E informova kryetarin edhe per idenë dhe vendimin e PDK-së që në ditët e ardhshme do ta formojë kabinetin e qeverisjes së mirë".
Zoti Thaçi tha se ky kabinet që do të jetë i përbërë nga ekspertë të kësaj partie, nga ekspertë të shoqërisë civile dhe ekspertë të pavarur, nuk do të jetë sfidë legale për qeverinë, por do ta sfidojë atë me ide. Duke e komentuar këtë ide, presidenti Rugova tha se ky kabinet apo qeveri në hije, është një zhvillim pozitiv që të mos e lërë qeverinë të bjerë në gjumë.
Bashkëbiseduesi i dytë i sotëm i presidentit Rugova, lideri i partisë Ora, Veton Surroi, tha se nuk besonte që koalicioni aktual do të mund ta mbushë zbrazëtinë e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj:
"Lidhur me qeverinë, qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar. Ne mendojmë se egziston një zbrazëti e madhe që e ka lënë ish-kryeministri Haradinaj. Nuk shohim se kjo zbrazëtirë mund të mbushet në këtë formë të koalicionit."
Mirëpo, tha zoti Surroi, kjo parti nuk mendon se qeveria duhet të formohet me konsenzus, pasi kjo nuk ndodh askund në botë. Pavarësisht nga kjo, Veton Surroi tha se të gjithë duhet t’i kenë parasysh katër gjëra që kërkojnë konsenzus: decentralizimi, kushtetuta, bisedimet për çështjet e hapura me Serbinë dhe çështja e statusit.
Ndërkohë, që presidenti Rugova ka premtuar të jetë faktor që do të koordinojë mbetjen e opozitës në rrjedhë me proceset politike në Kosovë, përfaqësuesit e opozitës, Thaçi e Surroi, edhe një herë e dënuan sulmin kundër presidentit Rugova. Zoti Thaçi me këtë rast ka kërkuar nga të gjithë, që askush të mos e mbajë në presion procesin politik dhe të mos tentojë të influencojë këtë proces me shpërthime dhe bomba.

XS
SM
MD
LG