Ndërlidhjet

logo-print

95% TË SHTËPIVE TË SHKATËRRUARA NË TRAZIRAT E MARSIT 2004 JANË RINDËRTUAR


Albana Isufi, Prishtinë

Nga 897 shtëpi sa qenë shkatërruar gjatë trazirave të marsit të vitit të kaluar, 853 shtëpi apo 95 për qind e tyre ,tashmë janë renovuar.
Projektin për rindërtim e pati filluar pak kohë pas trazirave, kryeministri i atëhershëm Bajram Rexhepi, i cili edhe e pati krijuar komisionin ndërministror për sanimin e dëmeve të marsit, që po vazhdon punën nën udhëheqjen e Ministrit të Kulturës.
Drejtori i departamentetit për marrëdhënie me publikun në këtë ministri, Veli Bytyqi, thotë se numri i shtëpive që kanë mbetur pa u renovuar është shumë i vogël.
“Është tregues i mirë që flet se ky komision ka punuar me ngulm dhe seriozitet dhe premtimet që janë dhënë në fillim të këtij projekti tani janë bërë realitet. Flasim për përqindje shumë të vogël për ato shtëpi të parenovuara," tha Bytyqi, duke shtuar se komisioni është në pritje të buxhetit shtesë, me qëllim që të marrë fund renovimi i shtëpive të mbetura.
Veli Bytyqi thotë se së shpejti do të fillojë renovimi i shtëpive që gjenden nën kalanë e Prizrenit, të cilat vlerësohen si trashëgimi kulturore për shkak të vjetërsisë së tyre.
“Dhe unë do të veçoja me këtë rast gadishmërinë e SIDA-s suedeze, e cila është e interesuar që të bëjë renovimin e shtëpive nën kalanë në Prizren. Ky projekt përfshin 57 shtëpi dhe do të kushtojë rreth 8 milionë euro”.
Në anën tjetër zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot, thotë se UNMIK-u është i kënaqur me procesin e rindërtimit, por problem mbetet kthimi i të zhvendosurve serbë.
“Nga 897 shtëpi sa ishin shkatërruar, deri tani 853 janë rindërtuar që nënkupton 95 për qind të tyre, por rreth 53 për qind nga to ende nuk janë të banuara, pasi shumë pak njerëz janë kthyer dhe edhe me tej nuk duan që të kthehen në shtëpitë e tyre”, thotë Remi Dourlot.
Gjatë trazirave të marsit, përveç shtëpive u shkatërruan edhe disa kisha orthodokse serbe. Edhe pse qeveria e kaluar pati ndarë për to rreth 5 milionë euro, renovimi i tyre nuk është bërë për shkak të pengesave nga kreu i Kishës Orthodokse Serbe.
“Jo për shkak të mungesës së parave. Ne i kemi paratë dhe programet, por është problemi se vetë kisha orthodokse, nuk ka lejuar as UNMIK-un, as të tjerët, që të fillojnë rindërtimin dhe ne nuk mund të lëvizim pa autorizimin e tyre”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot. Këtë gjë e pohon edhe Veli Bytyqi.
“Jo për mungesë ose neglizhencë të komisionit ndërministror, por objektet e kultit dhe në këtë rast klerët e minoritetit serb, nuk kanë dashur të marrin pjesë në hartimin e projektit, vlerësimin e këtyre projekteve. Ne kemi pasur pengesa serioze dhe sot e kësaj dite minoriteti serb nuk ka dashur të bashkëpunojë në vlerësimin e këtyre projekteve, kështu që edhe nuk ka ndodhur renovimi”.
Qeveria e Kosovës për renovimin e shtëpive dhe monumenteve të shkatërruara gjatë trazirave të marsit të vitit të kaluar pati ndarë rreth 15 milionë euro.

XS
SM
MD
LG