Ndërlidhjet

NË MITROVICËN VERIORE U PËRKUJTUAN NGJARJET E MARSIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen dhe qeveria vendore, në njëvjetorin e ngjarjeve të dhunshme të marsit, kanë bërë thirrje që zhvillime të tilla të mos përsëriten më kurrë në Kosovë. Kryeadministratori Jessen Petersen, përmes një deklarate me shkrim, përkujton se ngjarjet e marsit të vitit të kaluar kanë vënë një hije të zezë mbi tërë Kosovën dhe si të tilla, ato nuk duhet të përsëriten më kurrë. Mirëpo, njëkohësisht, Petersen ka vlerësuar që tani, një vit pas këtyre trazirave, Kosova ka ecur përpara dhe ka mësuar nga pësimet.
“Tani po përpiqemi së bashku me një urgjencë të shprehur të ndërtojmë një shoqëri, ku njerëzit respektojnë njëri tjetrin dhe ku të gjitha bashkësitë mund të jetojnë në paqe, të lirë dhe në harmoni”, thotë përmes kësaj deklarate Petersen. Kosova, sipas tij, është përcaktuar qartë për rrugën e saj për të ecur përpara, e cila bazohet në zbatimin e standardeve, që në përgjithësi janë të ndërlidhura me përmirësimin e kushteve të jetesës për pakicat.
Në anën tjetër, qeveria e Kosovës, në njëvjetorin e këtyre ngjarjeve, shprehet se ka mësuar nga gabimet e së kaluarës.
“Angazhimi politik i qeverisë ka dhënë rezultate dhe sot Kosova gëzon një respekt të gjërë e të pamohueshëm ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e qeverisë. Qeveria vlerëson se në Kosovë po krijohet një klimë e qëndrueshme politike, sociale dhe e sigurisë. “Kontributi i qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia partiake apo shtresa sociale, siguron një qëndrueshmëri, e cila do ta çojë Kosovën në cakun e saj, që është pavarësia dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror”, thuhet në këtë deklaratë.
Ndërkohë, sot në pjesën veriore të Mitrovicës, dhjetra qytetarë serbë kanë kanë mbajtur një lutje në kishën ortodokse dhe më pas kanë ndezur qirinj për viktimat e para një viti. Me këtë rast disa qytetarë thanë se nuk do të donin që të përjetonin më kurrë ngjarje si ato të marsit:
"Dhëntë zoti që diçka e tillë të mos përsëritet më kurrë," thotë një qytetar, duke shtuar se ato ditë kanë qenë përplot brutalitet dhe e tërë situata ishte jashtë kontrollit të organeve të sigurisë.
"Ato ngjarje ishin shumë të dhimbshme dhe shpresoj që diçka e tillë të mos përsëritet më kurrë," thotë edhe një qytetar tjetër, si edhe shumë të tjerë, që si lutje kryesore kanë mospërsëritjen e zhvillimeve të tilla.
Ngjarjet e marsit të vitit të kaluar pasuan mbytjen e tre fëmijëve shqiptarë në lumen Ibër, që ndodhi në natën e 6 marsit në fshatin Çabër të Mitrovicës, në rrethana ende të pasqaruara. Qytetarët shqiptarë fajësuan për mbytjen e fëmijëve, pjesëtarët e pakicës serbe dhe kjo shkaktoi një valë të pakënaqësisë që doli tërësisht nga kontrolli dhe përfshiu gati tërë Kosovën. Si pasojë e këtyre trazirave humbën jetën 19 veta, u lënduan mbi 700 të tjerë, kurse nga shtëpitë e tyre u dëbuan mbi 3 mijë qytetarë.



XS
SM
MD
LG