Ndërlidhjet

logo-print

OJQ-TË TË PAKËNAQURA ME MARRËVESHJEN E DJESHME PËR PERSONAT E PAGJETUR


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Asociacioni i familjeve të personave të pagjetur dhe të martirëve të luftës, nuk është i kënaqur më marrëveshjen e arritur në bisedimet e zhvilluara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sheremet Ademi nga ky këshill pohon se marrëveshja e djeshme mund të pengojë procesin e kthimit të trupave të pajetë, të cilët janë gjetur nëpër varrezat masive në Serbi.
“Dhe dialogje të tilla neve fatkeqësisht na imponohen, sepse po të egzistonte një sinqeritet dhe një sinqeritet i pales serbe në radhë të parë, qeveria e Serbisë do t’i kthente kufomat, për të cilat dihet botërisht se mbahen padrejtësisht në Beograd. Dhe e dyta të jepen shenja që të bisedohet dhe të dialogohet për ata persona, të cilët nuk dihen. Për ata të cilët nuk dimë ne, sepse pala serbe i di dhe është shumë mirë e interesuar, pasi posedon të gjitha dokumentet përkatëse, ku gjenden njerëzit, ku mbahen dhe pse mbahen”, tha zoti Ademi.
Në anën tjetër zoti Ademi, takimin e Grupit Punes të Prishtinës dhe Beogradit për personat e pagjetur, e quan të karakterit formal, pasi sipas tij kjo ka qenë marrëveshje në mes administratës ndërkombëtare dhe qeverisë së Serbisë.
“E gjitha ajo që u tha dje ka qenë e rregulluar me disa marrëveshje në mes UNMIK-ut dhe qeverisë së Serbisë. Të gjitha atyre marrëveshjeve Serbia gjithnjë u ka bërë bisht dhe asnjëherë nuk ka qenë e sinqertë që të punojë konform asaj që janë marrë vesh. Dje takimi ka qenë i karakterit formal, që në një mënyrë apo tjetër marrëveshja do të rezultojë me rezultate të caktuara’’.
Nysrete Kumnova, kryetare e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ndërkaq tha se kjo çështje është humanitare dhe për të nuk është dashur të dialogohet, por të zgjidhet pa ndonjë kusht.
“Nuk jemi të kënaqur, sepse e kanë çuar shumë larg. Tani dialogu duhet të vazhdojë në qershor. Edhe sa kohë duhet të presim ne familjet që të kthehen të dashurit tonë? Ata dihet ku janë, kush i ka rrëmbyer dhe të gjitha shënimet i kanë”, tha zonja Kumnova.
Edhe Ferdeze Efendija, udhëheqëse e organizatës joqeveritare “Thirrjet e Nënave”, tha se procesi për kthimin e kufomave ka pasur mundësi që të zgjidhet qëmoti.
“Nuk jemi kundër, por nuk ka pasur nevojë të dialogohet dhe të zgjatet kaq gjatë, sepse për familjarët është një keqtrajtim dhe një vrasje e shumëfishtë”, tha zonja Efendija.
Në anën tjetër në një konferecë për shtyp, anëtarët e delegacionit kosovar për personat e pagjetur, kanë bërë të njohura rezulatet e arritura gjatë këtij takimi. Nexhmedin Spahiu, anëtar i këtij delegacioni, ka thënë se bisedimet kanë qenë konstruktive.
"Gjithashtu, grupi ka të drejtë që të kërkojë sqarime, një diçka që ka vlerë të veçantë, ndoshta mendoj se akterët do të dalin në sipërfaqe”, tha zoti Spahiu.
Ndryshe, gjatë bisedimeve në Beograd është miratuar Korniza e përgjithshme dhe është konsoliduar lista e përkohshme e personave të pagjetur, të cilën e ka hartuar Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Takimi i radhës mbi këtë çështje pritet të mbahet më 9 qershor në Prishtinë. Deri atëherë, të dyja palët duhet të punojnë në zbardhjen e fatit të personave, emrat e të cilëve gjenden në listën e konsoliduar.
Sidoqoftë, numri i përgjithshëm i personave që vazhdojnë të llogariten si të zhdukur mbetet 3192, prej tyre 2460 shqiptarë, 529 serbë dhe 203 pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.



XS
SM
MD
LG