Ndërlidhjet

PRESIDENTI RUGOVA NOMINON BAJRAM KOSUMIN SI KRYEMINISTËR TË RI TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Bajram Kosumi është nominuar sot për kryeministër edhe nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.
Vendimin e tij zoti Rugova e bëri të ditur sot, pas një takimi që pati me shefin e administratës ndërkombëtare në Kosovë Soren Jessen Petersen.
“Kam vendosur që zoti Bajram Kosumi, që është propozuar nga AAK-ja, të jetë kryeministër. Do ta propozoj në parlament dhe ta kompletoj qeverinë që sa më shpejt qeveria të fillojë punën”, tha presidenti Rugova.
Zoti Rugova tha se për nominimin e Bajram Kosumit, i cili vjen nga partneri i koalicionit qeveritar të LDK-së, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur pasi ka kryer konsultimet paraprake me të gjitha partitë politike në Kosovë.
“Këtë vendim e mbështes edhe në mirëkuptimin dhe tolerancën e opozitës së PDK-së dhe Ora-s-, të cilët i pranojnë rregullat demokratike, se është e drejtë e partive që kanë bërë koalicionin, të vendosin të shkojnë ose të vazhdojnë dhe unë i falenderoj për tolerancën dhe pranimin e rendit demokratik”, tha Rugova, duke shtuar se për çështjet që kanë rëndësi kombëtare, zyra e presidentit do të konsultohet vazhdimisht edhe me opozitën.
“Jemi marrë vesh se si së bashku me opozitën të punojmë në çëshjet e përgjithshme kombëtare si e ardhmja e Kosovës, pavarësia ku do të jemi së bashku, procesi i decentralizimit, kemi në proces edhe kushtetutën, si dhe çështjet që dalin kohë pas kohe në programin tonë”.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, tha se qeverinë e re e presin sfida të shumta.
“Dy parti politike kanë vendosur që të formojnë qeveri. Ato e kanë shumicën dhe nëse Kuvendi kur të takohet pajtohet më këtë, atëherë ne do të kemi një qeveri që e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë në një periudhë të shkurtër kohore," tha Jessen Petersen duke rikujtuar se në mes të prillit do të bëhet një vlerësim teknik i standardave dhe se duhet të arrihet progres në këtë fushë para raportimit tjetër të tij në Këshillin e Sigurimtit në Nju Jork.
“Qeveria kur të zgjidhet do të dijë saktësisht se cilat janë prioritetet, dhe nëse kjo qeveri zgjidhet nga Kuvendi, në të do të jenë të përfshirë shumë nga ministrat, që tashmë janë të angazhuar në zbatimin e standardeve dhe e dinë që kjo gjë duhet të vazhdohet,” tha Jessen Petersen.
Ai çmoi zotin Rugova për konsultimet që kishte bërë rreth qeverisë së re edhe me opozitën, dhe kërkoi nga opozita që të luajë një rol konstruktiv në proceset politike.
“Ky është fillimi një reflektimi se si Kosova po përgatitet për bisedimet për statusin, decentralizimin dhe çështjet e tjera, dhe mendoj se kemi një demokraci ku kemi qeveri dhe opozitë. Unë e çmoj opozitën, e cila po luan një rol konstruktiv”, tha Jessen Petersen.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës pritet që nga mesi i javës së ardhshme të mblidhet për të votuar kandidaturën e Bajram Kosumit si kryeministër dhe kabinetit të ri qeveritar.
Bajram Kosumi, që deri tani ishte Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për postin e kryeministrit u propozua për herë të parë nga ish kryeministri Haradinaj, menjëherë pasi ky i fundit bëri publike dorëheqjen e tij, për shkak të ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës.



XS
SM
MD
LG