Ndërlidhjet

KUÇI: QEVERIA NË HIJE NUK ËSHTË PARALELIZËM, POR DO TË SFIDOJË LËSHIMET E QEVERISË AKTUALE


Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, sot presidenti i Kosovës nominoi zotin Bajram Kosumi për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Dihet qëndrimi i Partisë Demokratike për një qeveri gjithëpërfshirëse. Cili është vlerësimi juaj në këtë rast?

HAJREDIN KUÇI
Mendoj që ka shfrytëzuar një të drejtë demokratike, e cila plotësisht përputhet edhe me Kornizën Kushtetuese, edhe me rrethanat aktuale. Mendoj që në këtë rast është paraparë vetëm ana formale, jo dhe përmbajtja e propozimit. Mbi bazën e saj është anashkaluar opozita, në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës. Mendoj që proceset, të cilat janë në të ardhmen kanë kërkuar që të kemi një proces gjithëpërfshirës dhe të kemi një konsensus më të madh sa i përket proceseve politike, ndër të cilat do përmendja çështjet sociale dhe çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Sido që të jetë ne do të sillemi si opozitë, do të sillemi në përputhje me qëndrimet tona që i kemi patur më herët dhe do të japim mendimin tonë edhe në Kuvendin e Kosovës dhe më vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje kryetari i Partisë Demokratike, zoti Hashim Thaçi, tha se PDK-ja do të krijojë një qeveri nën hije, e cila në njëfarë mënyre do të sfidonte jo me pushtet por me ide dhe këshilla qeverinë e Kosovës. A mund ta elaboroni më tepër këtë ide?

HAJREDIN KUÇI
Po kjo është një ide e menduar edhe më herët nga Partia Demokratike e Kosovës. Është zhvilluar si ide brenda përbrenda Partisë Demokratike dhe tani është bërë vendim i PDK-së. Këto ditë shumë shpejt besoj do të dalim edhe me propozimet konkrete. Qëllimi ynë është që të jemi një opozitë më aktive në skenën politike të Kosovës. Nuk është qëllim i paralelizmit apo të sfidimit legal të qeverisë që do të zgjidhet në Kosovë, por mbi të gjitha do të jetë një lloj sfidimi për lëshimet apo korrektimet për qeverinë që duhet t'i bëjmë dhe mbi të gjitha ofrimi i alternativave përballë qeverisë aktuale dhe përballë qytetarëve të Kosovës. Mendoj që propozimet do të jenë shumë korrekte nga bota, them, edhe politike, edhe profesionale, edhe akademike dhe nga shoqëria civile, por mbi të gjitha do të jetë një ofertë për qytetarët e Kosovës se çfarë duhet të bëjmë. Me fjalë të tjera Partia Demokratike do të jetë më aktive, në kuptimin jo vetëm të kritikës ndaj veprimeve qeveritare, por mbi të gjitha për ofrimin e alternativave për të mirën e qytetarëve, dhe mbi të gjitha për të mirën e vetë Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa nënkupton kjo dhe një parapërgatitje të Partisë Demokratike për proceset e ardhshme zgjedhore, duke patur parasysh se po përgatit një strukturë të gatshme qeverisëse.

HAJREDIN KUÇI
Po Partia Demokratike e Kosovës ka hyrë në skenën politike për një qëndrueshmëri politike, për një plan afatgjatë të veprimit politik. Ne do të jemi vazhdimisht të gatshëm që të ofrojmë ofertën tonë para qytetarëve të Kosovës, vazhdimisht do të jemi të gatshëm që jo vetëm të përcjellim proceset politike në Kosovë, por edhe të krijojmë procese politike, duek tentuar që ato krijesa të jenë në dobi të qytetarëve dhe mbi të gjitha të proceseve të gjithëmbarshme në Kosovë. Natyrisht ne do të forcojmë edhe më tutje strukturën tonë, do të forcojmë edhe më tutje, identitetin tonë si parti politike dhe ky identitet i joni do të jetë shumë i qartë për qytetarët e Kosovës dhe do të jetë me siguri sfidues për konkurentët tonë politikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht në qëndrimet e vazhdueshme të Partisë Demokratike, është përmendur edhe çështja e statusit të Kosovës si një domosdoshmëri sipas jush që në Kosovë të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse. Në këtë rrafsh ku e sheh Partia Demokratike si opozitë veten në procesin e fillimit të bisedimeve rreth statusit të ardhshëm të Kosovës?

HAJREDIN KUÇI
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur qëndrim të qartë se do të jetë opozitë ndaj veprimeve qeveritare mund të themi në Kosovë, por nuk do të jetë opozitë ndaj proceseve politike me rëndësi për Kosovën. Për këtë me kohë ne do të marrim qëndrim në organet tona vendimmarrëse. Mund të them se do të luajmë rolin për aq sa na takon si parti politike. Të mos mendohet që Partia Demokratike e Kosovës do ta marrë barrën apo përgjegjësinë e bartësve të institucioneve të Kosovës, por do ta luajmë rolin në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë tona. Në anën tjetër mos mendohet se do të jemi një vrojtues pasiv i zhvillimeve sidomos për çështjet e statusit, do të jemi shumë aktivë. Në këtë kuptim mendoj që do të bëjmë veprimet e duhura që janë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, por njëkohësisht do të tregojmë forcën tonë politike në çdo rast që do të kërkohet, duke menduar gjithmonë në veprimet tona demokratike. Kemi menduar se më shumë duhet të ketë një konsenzus brenda për brenda, duhet të ketë një organizim brenda për brenda të strukturuar institucional për këdo të jetë në Kosovë dhe pastaj të ballafaqohemi me mendimet apo me negociatat që na presin. Të gjitha këto do t'i bëjmë me kohë dhe të gjitha këto besoj do të jenë edhe të pranueshme për qytetarët, por do të jenë edhe forma plotësisht demokratike përballë sfidave, pasi ne mendojmë që Partia Demokratike dhe njerëzit e saj kanë bërë ndryshime shumë të mëdha në strukturën, në statusin juridik dhe politik të Kosovës dhe me siguri do të jenë shumë të aftë dhe do të jenjë njëkohësisht të përkushtuar të përmbyllin këtë proces në mënyrën më të mirë që nënkupton pavarësinë e plotë të Kosovës. Por gjithë kjo do të jetë jo në kuptimin e bartjes së përgjegjësive, por të bartjes së të drejtës që i takon në këtë proces, i cili është me rëndësi për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni ju gjasat që Kosova të ketë një delegacion të vetin për diskutimet rreth statusit të ardhshëm të Kosovës?

HAJREDIN KUÇI
Ajo do të jetë një çështje, të cilën subjektet politike, me siguri institucionale do të merren vesh me kohë. Me siguri në këtë kohë do të kërkohet edhe një presion ndërkombëtar për krijimin e një veprimi të tillë. Ne do të jemi shumë të gatshëm që të japim kontributin tonë në këtë drejtim, por po e përsërit prap, nuk nënkupton që do të marrim përgjegjësinë e të tjerëve. Në qoftë se dikush në Kosovë do të marrë përgjegjësinë për pushtetin në Kosovë, njëkohësisht do të marrë përgjegjësinë edhe për sfidat që i ofron ai pushtet. Natyrisht që do të ketë çështje të cilat do të jenë të diskutueshme, natyrisht që me qëndrimin tonë si opozitë ne do të kemi oferta edhe më të forta dhe natyrisht mbi bazën e saj, konsenzusi do të jetë shumë i vështirë që të arrihet. Pra do të ketë më shumë sfida, më shumë angazhime dhe ne nuk do të jemi të orientuar që t'i gjejmë pikat dalluese, më shumë pikat takuese, por mbi të gjitha për ne si opozitë nuk është roli ynë që të duartrokitet përballë çështjeve të tilla, por është roli ynë që të përputhemi me vullnetin me programin tonë politik dhe mbi të gjitha të punojmë që të jemi subjekti numër një politik në zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG